Lushnja, treni i fundit për Elbasanin
Edhe barazimi i largon përfundimisht verdheblutë nga lufta për një vend në 5-shen e parë
Elbasani, i goditur psikologjikisht pas humbjes me Luftëtarin dhe barazimit me Adën, pret të shtunën Lushnjën në një ndeshje vendimtare. Është treni i fundit për vendin e 5-të dhe vetëm fitorja bën punë, por gjërat nuk po shkojnë shumë mirë te verdheblutë. Trajneri File nuk do të ketë të gatshëm për ndeshjen në fjalë sulmuesin kryesor, Elhan Galicën, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Është e qartë që mungesa e tij do të ketë ndikim, pasi shkodrani mban i vetëm peshën në repartin e avancuar dhe deri më tani ka shënuar 9 gola. Vendin e Galicës pritet ta zërë i riu Tafani, që këtë sezon nuk është aktivizuar shumë minuta edhe për arsye dëmtimi. Ai ka shënuar 2 gola këtë sezon.
Një tjetër mungesë është ajo e mbrojtësit Mehmetaj, i ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e fundit. Në vend të tij pritet të jetë Aldo Bella, i cili rikthehet të luajë pas më shumë se 4 muajsh për arsye të një dëmtimi të gjatë. Është një titullarët më të spikatur të verdhebluve gjatë fazës së parë, por dëmtimi i rëndë e la për shumë kohë jashtë fushave.
Stafi teknik po e përgatit me shumë kujdes ndeshjen me Lushnjën, ku edhe barazimi do të thotë lamtumirë superligë. Të gjithë në kampin verdheblu janë optimist për të nxjerrë një ndeshje me nivel dhe çështë më e rëndësishme, rezultative, pavarësisht mungesave. Futbollistët e Elbasanit nuk kanë pse të kursehen në këtë sfidë dhe qëllimi i vetëm është rikthimi te fitorja, për të mbajtur gjallë shpresat për play-off-in.
Në 3 ndeshjen e luajtura në stadiumin Ruzhdi Bizhuta gjatë fazës së dytë Elbasani ka marrë vetëm 4 pikë, ndaj dhe ka mbetur prapa rivalëve. Ekipi i drejtuar nga trajneri File pritet ta tregojë veten përballë një rivali të fortë, siç është Lushnja, që vjen nga fitorja me kryesuesit e kampionatit.
