E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani kërkon shkëputjen, i plotë me Përmetin

Nga ILIR CARA

Kjo javë pritet të jetë vendimtare edhe në aspektin zyrtar për demat e kuq, pasi thuhet se në QKR do të regjistrohet sh.a.-ja e re

Pika e marrë nga Partizani në Kuçovë është shpërblyer dje,  kështu që të kuqtë ndihen të karikuar për pjesën e mbetur të sezonit. Të dielën Partizani pret Përmetin në Selman Stërmasi dhe, përvç fitores, çdo rezultat tjetër do të konsiderohej i papranueshëm. Kjo javë shikohet si një mundësi shkëputjeje për demat e kuq, pasi ndjekësit më të afërt luajnë në transfertë dhe në letër i presin sfida të vështira.

Naftëtari luan në Bilisht, ndërsa Tepelena është mysafire në Cërrik. Gjithsesi, për drejtuesit e kuq e rëndësishme është që Partizani çdo javë të bëjë detyrën e tij, pasi duke marrë maksimumin nga ndeshjet e tij, atëherë nuk i hyn në punë ecuria e rivalëve. Për këtë javë stafi teknik e ka më të plotë grupin, pasi rikthehen nga dëmtimi kapiteni Alert Alcani dhe mesfushori Erind Lleshi.

Gjithashtu, edhe mbrojtësi Ergin Bleta, për të cilin u tha se mund ta mbyllte para kohe sezonin, prej ditësh është bashkuar me ekipin dhe me gjasa edhe mund të grumbullohet për sfidën me Përmetin. Kjo javë pritet të jetë vendimtare edhe në aspektin zyrtar për Partizanin, pasi thuhet se i gjithë dokumentacioni i përpiluar nga Ministria e Mbrojtjes dhe i kaluar te Ministria e Ekonomisë, do të dorëzohet sot ose nesër në QKR. Pra, janë orët e fundit të pritjes që Partizani të bëhet me shoqëri të re aksionare, krijimi i së cilës do ti hapte rrugë privatizimit të legjendës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›