Gjykata: Gjyqi ndaj Aldo Bares do të nisë më 21 korrik
TIRANË - Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar datën 21 korrik për të nisur procesin gjyqësor në ngarkim të Alfred Shkurtit, i njohur me emrin Aldo Bare, i akuzuar si kreu i bandës së Lushnjës. Vendimi është marrë nga kjo gjykatë pas formimit të trupit gjykues të çështjes ndaj tij, i cili përbëhet nga pesë gjyqtarë. Disa ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi veçimin e çështjes ndaj Aldo Bares nga ajo e të akuzuarit tjetër të bandës së Lushnjës, Enver Dondollaku, i cili u procedua me formën e gjykimit të shkurtuar. Aldo Bare akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si organizator dhe drejtues i bandës së Lushnjës, e cila akuzohet për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, ndër to, disa vrasje të ndodhura vite më parë në Shqipëri. Aktualisht Aldo Bare ndodhet i arrestuar në Turqi, ndërsa autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij në vendin tonë. Shumë nga të akuzuarit si anëtarë të kësaj bande kriminale janë arrestuar gjatë këtyre katër viteve të fundit në disa operacione të organizuara nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Disa nga të pandehurit e kësaj bande tashmë janë dënuar nga drejtësia, ndërsa të tjerë, janë nën procedimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda.
13 Korrik 2009