Dekretohen 7 gjykata për të miturit
Trazhgim Sokolaj
Presidenti Bamir Topi dekreton krijimin e shtatë seksioneve penale në Gjykatat e rretheve për gjykimin e të miturve. Dekreti mban datën 7 korrik 2009, ndërsa hyn në fuqi më 1 shtator 2009. Krijimi i seksioneve penale në gjykatat e rretheve në të gjithë vendin, për gjykimin e të miturve që kryejnë krime është propozuar nga Ministri i Drejtësisë, pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale. Dekreti i Presidentit cakton se seksionet penale të gjykatave për të miturit do të krijohen në shtatë rrethe kryesore, të cilat do të mbulojnë gjithë vendin, duke iu referuar qendrave më të afërta me qarqet ku ngrihen gjykatat e reja. Seksioni penal për të miturit në Gjykatën e Tiranës do të ketë në juridiksion veç kryeqytetit, edhe Dibrën, Krujën, Kurbinin dhe Matin. Të gjithë të miturit që kryejnë krime në këto qytete do të gjykohen në seksionin penal të gjykatës për të miturit në kryeqytet. Dekreti cakton më tej se Seksioni Penal për të miturit në Gjykatën e Durrësit do të mbulojë edhe Kavajën, ndërsa në Shkodër do të gjykohen të miturit që kryejnë krime në Kukës, Pukë, Lezhë e Tropojë. Seksioni Penal për të miturit në Vlorë do të gjykojë edhe rastet e Beratit, Fierit dhe Lushnjës, Korça ndërkohë mbulon edhe Pogradecin, Gjirokastra do të mbulojë edhe Përmetin e Sarandën ndërsa Seksioni penal në Gjykatën e të miturve të Elbasanit kufizohet vetëm më këtë qytet.
Gjykatat e të miturve
Në rrethet kryesore të vendit aktualisht janë krijuar seksionet e të miturve pranë Gjykatave të Shkallës së Parë. Krijimi i tyre është sanksionuar me dekretin e Presidentit nr.5351, datë 11 qershor 2007. Ndërkohë dekreti i fundit i Presidentit, i datës 7 korrik 2009, shfuqizon dekretin e mëparshëm duke vendosur në një organizim të ri seksionet penale për gjykimin e të miturve në gjykatat e rretheve. Në fund të dekretit të pak ditëve më parë, Presidenti Topi thekson se është ngarkuar Ministria e Drejtësisë me zbatimin e tij. Krijimi i seksioneve të veçanta për gjykimin e të miturve që kryejnë krime është iniciuar në vitin 2007 pas rekomandimeve të organizmave ndërkombëtarë, që asistojnë sistemin shqiptar të drejtësisë. Duke u nisur nga numri i madh i fëmijëve që kryejnë krime, si dhe nga pamundësia e sistemit aktual për t’u ofruar atyre mundësinë e proceseve hetimore dhe gjykimit në përputhje me moshën, Ministria e Drejtësisë vendosi krijimin e seksioneve penale për gjykimin e të miturve. Këto “minigjykata” i krijuan pranë Gjykatave të rretheve kryesore, ku gjyqtarë të veçantë morën përsipër të gjykonin vetëm dosjet penale që kanë të bëjnë me të miturit që kryejnë krime. Sipas statistikave të policisë, veprat penale kryesore në të cilat implikohen të miturit janë krimet kundër pasurisë, vjedhje, grabitje, apo krimet kundër jetës, vrasje dhe plagosje. Në një numër më të reduktuar të miturit implikohen në krime që kanë të bëjnë me aksidentet rrugore.
Gjykatat e reja
1. Gjykata e Tiranës merr kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Dibër, Krujë, Kurbin, Mat dhe Tiranë
2. Gjykata e Durrësit merr kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Durrës dhe Kavajë
3. Gjykata e Shkodrës merr kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Lezhë, Kukës, Pukë, Shkodër dhe Tropojë
4. Gjykata e Vlorës merr kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Berat, Fier, Lushnje dhe Vlorë
5. Gjykata e Korçës merr kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Korçë dhe Pogradec
6. Gjykata e Gjirokastrës merr kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë
7. Gjykatën e Elbasanit merr kompetencë tokësore në rrethin gjyqësor Elbasan
Gjykatat e të miturve me psikologë në sallë
TIRANE – Seksionet Penale të Gjykatave për të miturit u krijuan me qëllim garantimin e të drejtave të autorëve të veprave penale në moshë të re, me qëllim integrimin e tyre në shoqëri. Prej vitit 2007, Prokuroria dhe gjykatat, në të gjitha proceset penale që kanë të pandehur ose dëshmitarë në moshë të mitur, janë të detyruara nga Kodi i Procedurës Penale të kryejnë hetimin dhe gjykimin e çështjeve në prani të psikologut. Detyrimet fillojnë që në polici, ku ndalimi i të miturve nuk mund të bëhet pa njoftimin e prindërve dhe praninë e një psikologu. Policia dhe Prokuroria nuk mund të marrin në pyetje autorin e mitur të një vepre penale pa praninë e avokatit, prindit dhe psikologut, ndërsa e njëjta gjë ndodh edhe në gjykatë, ku seancat gjyqësore duhet të zhvillohen në praninë e një psikologu. Procedura për kalimin e dosjes në seksionin e të miturve fillon me prokurorinë. Organi i akuzës në momentin që konstaton se autori i një krimi të denoncuar ose një vepre penale për të cilën është marrë dijeni, menjëherë ia kalon dosjen penale seksionit për hetimin e krimeve për të miturit. Më pas gjykimi vazhdon pranë gjykatave të rretheve por në seksionet e posaçme të krijuara për të miturit.