E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukumi në Torino

Nga data 3 deri më 9 Mars do të zhvillohet në Torino edicioni i XI-të i Piemonte Movie GLocal Film Festival, në të cilin do të shfaqet filmi nga Kosova “Kukumi” në regji të Isa Qosjes. Nga Alfred Beka më 28 shkurt 2011 në ora 14:01

Seksioni i posaçëm “Terre del Cinema” i festivalit i kushtohet këtë vit kinematografisë shqiptare përmes programit “Focus Albania”, organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës Shqiptare dhe Shoqatën Vatra.

Përpos filmit nga Kosova “Kukumi”, i cili është bërë në vitin 2005 në regji të Isa Qosjes, në këtë festival kinemaja shqiptare do të përfaqësohet edhe nga filmat nga Shqipëria: “Gjallë!” me regji të Artan Minarollit dhe “Lindje Perëndim Lindje” me regji të Gjergj Xhuvanit. Siç njoftojnë në një komunikatë për media udhëheqësit e Shoqatës Vatra, shoqatë kjo që është bashkorganizatore e programit ‘Focus Albania’, të gjithë filmat janë të paraqitur në gjuhë origjinale, me nëntituj në italisht.

Të ftuar të jashtëzakonshëm do të jenë Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Itali, Llesh Kola dhe aktori i ri shqiptar Nik Xhelilaj, fitues i disa çmimeve prestigjioze ndërkombëtare dhe protagonist i filmit “Gjallë!”

Kjo veprimtari shënon edhe fillimin e bashkëpunimit mes festivalit torinez dhe First Step Film Festival të Tiranës, duke prezantuar për herë të parë një përzgjedhje prej pesë kortometrazhesh të realizuar nga regjisorë të rinj shqiptarë.

Pjesëmarrja shqiptare në Festival plotësohet nga filmi dokumentar “Sono Stato Dio in Bosnia. Vita di un Mercenario” i regjisorit Erion Kadilli, vepra e të cilit konkurron në seksionin e filmave dokumentarë.

Programi i “Focus Albania”

“GJALLE!”
E Premte 4/03/11, ora 20:30 - Cinema Empire - Piazza Vittorio, 5, Torino

“LINDJE PERENDIM LINDJE”
E Shtune 5/03/11, ora 17:00 - Cinema Massimo - Via Verdi, 18, Torino

“KUKUMI”
E Diele 6/03/11, ora 16:30 - Il Movie/Cineporto - Via Cagliari, 42, Torino

“SONO STATO DIO IN BOSNIA”
E Hënë 7/03/11, ora 22:30 - Il Movie/Cineporto - Via Cagliari, 42, Torino

KORTOMETRAZHE
E Shtune 5/03/11, ora 19,00 - Cinema Massimo - Via Verdi, 18, Torino

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›