E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kelmendi në frëngjisht

Është botuar në Paris, nga edicioni L’Harmatan, libri me poezi “Comme le commencement est silencieux” i shkrimtarit shqiptar Jeton Kelmendi. Nga Alfred Beka më 28 shkurt 2011 në ora 13:56

Është botuar libri më i ri i shkrimtarit shqiptar Jeton Kelmendi në Paris. Edicioni i njohur i botimeve L’Harmattan ka nxjerrë nga shtypi librin me poezi “Comme le commencement est silencieux” të shkrimtarit Jeton Kelmendi.

Libri është përkthyer dhe përgatitur nga poeti me origjinë shqiptare Skënder Sherifi dhe shkrimtari i mirënjohur francez Athanase Vantchev de Thracy. Libri është botuar në dy gjuhet shqipe dhe frëngjisht dhe është botuar me parathënie të akademikut Athanase Vantchev de Thracy, i cili për poezinë e Kelmendit shprehet se ajo i ngjan një kopshti shumë sekret, të mbushur me lule të rralla që mbrohen me xhelozi nga muret e larta.

“Në këtë kopsht të tejmbushur me dashuri shëtit zemra e drithëruar e poetit. Një zemër pa shumë fjalë. Ajo që shpreh kjo zemër është e filtruar në mënyrë të trefishtë nga një inteligjencë gjithmonë vigjilente. E mbushur me të gjitha aromat e kopshtit, kjo zemër shpreh, megjithatë, vetëm gjërat thelbësore”, është shprehur përkthyesi në parathënie të librit. Ai ka shtuar gjithashtu se poezia e Kelmendit është koncize, plot densitet, e ndërtuar mirë dhe pa zbukurime artificiale. Aty, sipas tij, mungojnë gjërat e tepërta e pa shije.

“Vargjet e tij kanë një muzikë delikate, të pastër dhe të qetë. Në frazat e rezervuara, të thjeshta dhe të qarta fshihen nota trishtimi, plagë të thella, vatra dashurie, si dhe hiri ende i pashuar i dëshpërimit dhe i çasteve të zhgënjimit”, ka shkruar de Thracy.

Sipas tij, Kelmendi preferon elipsin, këtë figurë ilirike, me anë të së cilës ai lë mënjanë një ose shumë elemente të domosdoshme për kuptimin e tekstit, për të përftuar një efekt shkurtësie, densiteti dhe befasie.

“Kjo figurë e detyron lexuesin të ndalet te vargu për ta rindërtuar atë që autori e ka lënë me qëllim në heshtje. Elipsi poetik te Kelmendi shkon deri në shpërfilljen e gramatikës me qëllimin e vetëm për të përftuar efektin e veçantë letrar. Fraza e tij me fjalë të kursyera e shpreh përmbajtjen me anë të intonacionit, me monologun e brendshëm ose me impresionet dinamike”, ka shkruar përkthyesi de Thracy, duke shtuar se poezia botërore duhet ta marrë në konsideratë këtë poet të ri entuziast që synon t’i rikthejë asaj diçka nga thesaret e saj të pashtershme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›