E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: Buxheti i Tiranës nuk është bllokuar



Buxheti i Tiranës nuk është miratuar, por edhe nëse do të kishte marrë votat e mjaftueshme, ai nuk është i ligjshëm. Rektori i Universitetit të Tiranës, njëherësh këshilltar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, sqaron se pse buxheti nuk mund të hyjë në fuqi, edhe nëse merr shumicën e votave.

Sipas Kules, Bashkia e Tiranës gënjen për bllokimin e buxhetit, pasi 70 për qind e tij mund të përdoret nga bashkia, edhe pse nuk është miratuar drafti i vitit 2009. Ndërkohë, ai theksoi se ekzistojnë votat e mjaftueshme për të miratuar një buxhet të ri të ligjshëm.

Tirana ka buxhet

“Dua t’i bëj të ditur opinionit publik të Tiranës se buxheti nuk është bllokuar ashtu siç pretendojnë disa nëpunës të lartë të bashkisë, – tha z. Kule. – Ekziston një ligj për pushtetin vendor dhe një për buxhetin që janë bazat e vetme mbi të cilat mund të funksionohet”.

Duke cituar ligjin për buxhetin, prof. Kule bëri të ditur se “Bashkia e Tiranës mund të përdorë 1 të 12-ën e buxhetit çdo muaj, për çdo investim të lënë pas nga viti i kaluar, kështu, 70 për qind e buxhetit mund të përdoret nga bashkia”. Sipas tij, “vetëm ato fonde të paligjshme që janë në buxhet nuk mund të përdoren”.

Kule i bëri thirrje Bashkisë së Tiranës që të mos bëjë demagogji, duke mashtruar me buxhetin. “Është demagogji që një nëpunës i lartë shkon në shkolla dhe në rrugë dhe thotë që kjo punë nuk është kryer, sepse nuk është miratuar buxheti. Ligji shqiptar e ka të mirëpërcaktuar që investimet mund të vazhdojnë. Prandaj, nuk mund të thuhet se është bllokuar buxheti, pasi ne po kërkojmë vetëm që të gjitha fondet të shkojnë në destinacionin e tyre”, – tha z. Kule.

Drafti, i paligjshëm

Rektori i Universitetit të Tiranës arsyetoi pse drafti i paraqitur nga bashkia është i paligjshëm. “Si qytetar, por edhe si rektor i Universitetit, dua t`i shpjegoj bashkëqytetarëve të mi se ky draft nuk do të miratohet, sepse është i paligjshëm. Ky rast ka tre momente: juridike, ekonomike dhe politike, – deklaroi prof. Kule. – Ligji për buxhetin dhe për pushtetin vendor ka përcaktuar se është kompetencë e Këshillit Bashkiak që të miratojë buxhetin, por vetëm miratimi nuk është i mjaftueshëm për të hyrë në fuqi. Shumica e votave është një element i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm”.

Sipas prof. Kules, buxheti i Tiranës nuk mori shumicën e votave në Këshillin Bashkiak. “Nuk mund që të thuhet se është marrë shumica e votave, në një kohë kur u votua vetëm pro”, – tha ai. Duke iu përgjigjur argumentit të sekretariatit teknik se vota pro është e mjaftueshme, prof. Kule tha se “brenda të njëjtit votim dikush mund të kishte votuar kundër, prandaj nuk mund të merret parasysh”.

Por, edhe në rast se Këshilli Bashkiak do ta quante të mirëqenë votimin, sipas prof. Kules, kjo nuk do të thotë se buxheti do të miratohej. “Edhe sikur vëlla ta kishte Edi Rama prefektin e Tiranës, ky buxhet nuk mund të kalonte. Buxheti ka lënë 23 milionë euro fonde të padestinuara, që janë të jashtëligjshme, – tha prof. Kule. – Në buxhet është përcaktuar rritje e fondit të pagave, por kur i kërkuam administratës organikën e bashkisë, ajo nuk na i siguroi. Ne duam vetëm që të gjitha fondet e buxhetit të kalojnë për të mirën e qytetarëve. Duam që çdo qindarkë të shkojë në investime, e jo të jetë e paalokuar”.

Votat

Partia Demokratike ka përgatitur një variant alternativ për buxhetin e Tiranës të cilin do ta hedhë për miratim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak. “Me këto amendime, ne kemi alokuar fondet që ishin të paalokuara, në mënyrë që drafti të jetë i ligjshëm. Mos harroni se 7 nga 11 kryetarët e minibashkive kanë qenë kundër draftit në fjalë. Kështu, ne thjesht kemi marrë parasysh edhe kërkesat e tyre”, – tha prof. Kule.

Ndërkohë, ai bëri të ditur se ekzistojnë votat e mjaftueshme për të kaluar këtë variant. Në ndryshim nga hera e kaluar kur varianti i kryebashkiakut Rama fitoi 29 vota, këtë radhë, duket se varianti i PD-së do të marrë më shumë, sipas prof. Kules. “Disa këshilltarë votuan pro draftit të bashkisë, sepse u kishin thënë se bizneset nuk do të merrnin lekët e punës së tyre, nëse nuk kalonte buxheti. Ky është një mashtrim, sepse bashkia mund të përdorë 1 të 12-ën e buxhetit. Pasi u sqarua ky moment, ata do të votojnë këtë variant, që në realitet i jep më shumë mundësi bizneseve, pasi alokon të gjitha fondet e buxhetit të bashkisë”, – tha Kule.

Mbledhja e ardhshme e Këshillit Bashkiak të Tiranës do të përcaktohet në ditët në vijim. Në të pritet të hidhet sërish në votim varianti i propozuar nga ekzekutivi i bashkisë dhe nëse ai nuk miratohet, do të hidhet në votim edhe varianti i propozuar nga Partia Demokratike. Këshilli Bashkiak përbëhet nga 55 anëtarë.

Skadon afati, buxheti nuk është miratuar

Buxheti i Bashkisë së Tiranës nuk është dorëzuar sot në zyrat e prefektit të Tiranës. Burime pranë prefekturës bëjnë të ditur se nuk kanë marrë asnjë vendim të firmosur nga sekretari dhe kryetari i Këshillit, duke bërë kështu që buxheti të mos jetë miratuar. Prefekti i Tiranës, z. Ruzhdi Keçi, kishte deklaruar për “standard” se nuk do të pranojë vendimin në rast se vjen me shumë ditë vonesë. “Sipas procedurave ligjore, prefekti certifikon ligjshmërinë e një vendimi të Këshillit Bashkiak. Brenda pesë ditëve nga miratimi i një vendimi, ai duhet të vijë në zyrën time dhe nëse unë shoh se është zbatuar ligji, atëherë e miratoj”, – kishte thënë z. Keçi. Ai deklaroi se do të certifikojë buxhetin, në rast se është i firmosur edhe nga kryetari i Këshillit Bashkiak. “Përndryshe, vendimi quhet i pavlefshëm”, – kishte thënë ai. Sekretari i Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj, kishte deklaruar se votimi i realizuar për buxhetin ishte i rregullt dhe se ai duhet konsideruar i miratuar në parim. “Në votim morën pjesë 53 këshilltarë dhe pro projektbuxhetit në parim votuan 29 këshilltarë. Votimi nuk mund të anulohet nga kryetari i Këshillit. Dervishaj në fillim e pranoi votimin dhe më vonë e anuloi atë”, - deklaroi Gjonaj. “Procesverbali për votimin i përgatitur nga sekretaria është versioni i vetëm zyrtar që duhet të merret parasysh”, - tha ai. Por, kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Sokol Dervishaj, deklaroi se votimi ishte i pavlefshëm dhe se do të përsëritej. “Votimi bëhet nul. Ka ndodhur një anomali e pazakontë në mbledhjet e Këshillit, sepse nuk janë respektuar procedurat dhe rregullorja e Këshillit”, – kishte thënë Dervishaj. “Të reflektohet për aq sa është e nevojshme dhe e domosdoshme dhe sa më parë të vijnë përsëri në këtë sallë dhe me një kulturë të ndryshme komunikimi”. Tashmë, priten veprimet e mëtejshme të Këshillit Bashkiak, nëse do ta hedhin apo jo sërish në votim buxhetin e Tiranës.

Shalsi

PD, LSI, sërish bashkë për të bllokuar buxhetin

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, kundërshtoi dje mosnjohjen e votimit për miratimin e buxhetit të bashkisë nga këshilltarët demokratë dhe të LSI-së.

''PD dhe LSI janë bërë sërish bashkë, por tashmë për të mos e njohur votimin dhe për ta bllokuar buxhetin me dhunë", - tha Shalsi duke shtuar: ''Të dyja forcat, me të njëjtën gjuhë e me të njëjtat pseudoargumente dhanë një tjetër shfaqje të bashkimit të tyre kundër interesave të qytetarëve, kundër të ardhmes së kryeqytetit''.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe sekretari teknik, Vladimir Gjonaj, kanë deklaruar para disa ditësh se '' buxheti i Bashkisë së Tiranës u miratua prej 29 këshilltarëve, nga 53 të pranishëm në sallën e Këshillit Bashkiak''.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, dhe forcat politike të PD-së dhe LSI-së nuk e njohin miratimin e buxhetit për shkelje të procedurave të rregullores së Këshillit Bashkiak.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›