Temperatura e lartë, fëmijët rrezikohen nga sëmundjet epileptike
Neuropediatrët: 3.5% e sëmundjeve që prekin fëmijët, janë të natyrës epileptike. Sëmundja shkakton prapambetje të intelektit dhe të sferës njohëse
Rreth 3.5% e sëmundjeve që prekin fëmijët janë të natyrës epileptike. Prevalenca e rasteve tek të vegjlit, sipas mjekëve neuropediatër, duket se nuk përbën ndonjë dallim të madh nga vendet e tjera. Ndër më problematiket për ta mbetet fakti se një ndër shkaqet e shfaqjes së epilepsisë tek fëmijët është temperatura e lartë.
Rastet
Në konferencën e 6-të të Shoqatës Neuropediatrike Shqiptare, themelues të kësaj shoqate dhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, bënë panoramë të formave të ndryshme të epilepsisë. Valentina Tashko, kryetarja e Shoqatës Neuropediatrike Shqiptare the se shkaqet më të shpeshta janë konvulsionet nga temperatura, por dhe forma të tjera të epilepsive. "Këto sëmundje janë shumë të rënda, janë refraktare, nuk përgjigjen ndaj mjekimeve me antiepileptikë dhe janë invalidizuese", - tha dr. Tashko. Sipas saj, ato mund të shkaktojnë prapambetje të intelektit, të sferës njohëse, por dhe të tjera që janë mjaft të vështira, si për ta, për familjen dhe mjedisin ku jetojnë.
Epilepsia paraqitet në forma të ndryshme, ndërkohë që këta persona trajtohen si nga ana mjekësore me antiepileptikë, por dhe nga ana sociale dhe të intelektit, me trajtime nëpër qendrat e shumta apo dhe riaftësim fizik mendor. "Deri tani nuk ka një studim të mirëfilltë, por incidenca është rreth 3% që trajtohen ambulatorisht, duke ardhur herë pas here dhe në spital të paktën një herë në 6 muaj, sipas formave dhe në raste të veçanta dhe me shtrime në spital", - tha dr. Tashko.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në fjalën e saj vlerësoi shërbimin e neuropediatrisë, i cili, sipas saj, ka gjetur rrugën se si të perfeksionojë veten. "Këtë e ka realizuar duke punuar, duke gjetur kohë të merren me shkencë, për të gjetur mënyrën dhe për të organizuar dhe konferenca të tilla", - tha ajo, duke vënë në dukje se punimet e konferencave të neuropediatrisë kanë pasur gjithmonë nivel të lartë shkencor. Ato, sipas saj, kanë dëshmuar për një nivel të lartë profesional të këtij shërbimi. Me këtë rast, ministrja uroi dhe përgëzoi shoqatën për punën e madhe shkencore dhe profesionalizmin e treguar, duke vlerësuar se dr. Drishti ka qenë një model për brezat e mjekëve neuropediatër.
Sëmundja
Epilepsia është një sëmundje me së paku dy sulme epileptike (sulme me ngërçe), të cilat shkaktohen pa asnjë arsye, e cila mund të parashikohet.
Një sulm epileptik shkaktohet si pasojë e shkarkimeve sinkrone paroksizmale (në formë të sulmeve) të qelizave nervore të trurit, gjë që dërgon tek sjelljet apo gjendjet shpirtërore stereotipike. Kjo sëmundje ka për të sëmurin ndikim të madh në jetën e tij të përditshme dhe kjo gjë duhet të merret parasysh gjatë mjekimit të saj. Personat me këtë lloj sëmundjeje janë të pushtuar nga streset e përditshme që vijnë si rezultat i perceptimit të kufizuar.