E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i shëndetit, gjoba për mjekët dhe infermieret



Forcim të masave dhe kontrolleve në institucionet shëndetësore publike dhe private. Me ndryshimet e bëra në ligjin “Për kujdesin shëndetësor” përcaktohen qartë kriteret dhe standardet që duhet të përmbushin këto subjekte. Gjithashtu, në rast shkeljeje të këtyre standardeve, ligji dënon me gjoba të majme deri në heqje licence.

Ligji

Ministria e Shëndetësisë ka përfunduar së hartuari ligjin “Për kujdesin shëndetësor” i cili pritet të kalojë për miratim në Parlament. Në draftin aktual janë bërë disa ndryshime në lidhje me shërbimin mjekësor që shteti duhet të japë falas dhe shërbimet që ofrohen kundrejt pagesës.

Përmbushja e kritereve për shërbimet shëndetësore është një tjetër pikë që përmes këtij ligji shumë institucione shëndetësore mund edhe të penalizohen. Si subjektet private, ashtu edhe ato shtetërore, do të kalojnë në sitë. Ndryshimet e bëra përcaktojnë qartë kriteret dhe standardet që duhet të përmbushin subjektet në mënyrë që të ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor.

Kriteret që duhet të përmbushin këto subjekte janë të përcaktuara me ligj. Për përmbushjen ose jo të këtyre standardeve do të jetë Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë, i cili ka si kompetencë që të hetojë këto shkelje dhe në bazë të hetimeve të vendosë gjoba.

Ndërkohë që një tjetër element që trajtohet në këtë ligj, është edhe licencimi i subjekteve shëndetësore private dhe publike, duke i konsideruar ata si të barabartë.

Gjobat

Në ligj përcaktohen standardet e përgjithshme që duhet të përmbushë secili institucion shëndetësor. E ngarkuar për të nxjerrë normat dhe standardet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor është Ministria e Shëndetësisë. Këto norma duhet të përmbushen nga institucionet e kujdesit shëndetësor për objektet fizike, pajisjet dhe kualifikimet e burimeve njerëzore. Në rast të mospërmbushjes së standardeve të përgjithshme dhe cilësisë së shërbimeve, vendoset gjobë nga 50 mijë lekë deri në 100 mijë lekë; në rast përsëritjeje, heqje licence. Refuzimi nga ofruesit e shërbimit i procesit të mbikëqyrjes shtetërore, gjobë nga 20 mijë lekë deri në 50 mijë lekë.

Shkelja e neneve 25, 26 në të cilat parashikohet licencimi dhe rilicencimi. Ligji e përcakton atë si një proces të detyrueshëm për personat, fizikë dhe juridikë, që ofrojnë shërbime shëndetësore në RSH. Në rast shkeljeje dënohen me gjobë 500 mijë lekë, në rast përsëritje me 5-fishin e gjobës dhe me denoncim në organet kompetente. Ndërsa për mosregjistrim të profesionistëve të shëndetësisë, gjobë nga 5 mijë lekë deri në 10 mijë lekë.

Ligji

Standardet e përgjithshme

1-Ofruesit e shërbimeve shëndetësore duhet, që, gjatë ofrimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, të veprojnë në përputhje me standardet, profesionale dhe etike, të përcaktuara nga ministri i Shëndetësisë dhe urdhrat e profesionistëve.

2-Ministri i Shëndetësisë nxjerr normat dhe standardet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, që do të përmbushen nga institucionet e kujdesit shëndetësor, për objektet fizike, pajisjet dhe kualifikimet e burimeve njerëzore.

3-Ministri i shëndetësisë nxjerr rregullore për llojet dhe nivelin e shërbimeve të institucioneve të kujdesit shëndetësor.

Cilësia e shërbimeve

1-Të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor, publike dhe private, përcaktojnë rregullore të brendshme për cilësinë e kujdesit, si kusht për autorizimin operues. Menaxhimi i cilësisë përfshin të gjitha shërbimet mbështetëse për pacientët dhe ato klinike, shërbimet e kontraktuar dhe shërbimet e kujdesit ndaj pacientit, të ofruara nga specialistët e kujdesit shëndetësor dhe stafi teknik.

2-Rregullat dhe mënyra e realizmit të proceseve të akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor, private ose publike, përcaktohen me VKM.

Gjobat e parashikuara në ligjin “Për kujdesin shëndetësor”

Shkelja Gjoba Në rast përsëritjeje

Mospërmbushja e standardeve të përgjithshme dhe cilësisë së shërbimeve Nga 50 mijë lekë deri në 100 mijë lekë Heqje licence

Refuzimi, nga ofruesit e shërbimit, i procesit të mbikëqyrjes shtetërore Nga 20 mijë lekë deri në 50 mijë lekë Heqje licence

Mos regjistrimi i profesionistëve të shëndetësisë Gjobë nga 5 mijë lekë deri në 10 mijë lekë Heqje licence

Moslicencimi Gjobë 500 mijë lekë Dënim me 5-fishin e gjobës dhe me denoncim në organet kompetente

UNICEF

Projekt në 40 shkolla të vendit për riciklimet

UNICEF-i dhe ambasada holandeze në Tiranë kanë marrë përsipër mobilizimin e mbi 40 shkollave dhe mbi 13 mijë fëmijëve në të gjithë vendin me qëllim ndërgjegjësimin e tyre ndaj mbetjeve plastike, riciklimit dhe ruajtjes së një mjedisi sa më të shëndetshëm. Shkollat e përfshira në këtë projekt në Tiranë dhe disa rrethe do të pajisen me nga një kosh të ri, ku çdo të hënë nxënësit do të sjellin materiale plastike, qese e mbetje të tjera të padegradueshme. Nëpërmjet këtij veprimi ata do të ndikojnë edhe në sjelljen e prindërve, mësuesve dhe të gjithë komunitetit për pastrimin e mjedisit nga këto mbetje të rrezikshme. Jo vetëm kaq, por veprimet e tyre do të nxisin edhe biznesin dhe pushtetin lokal të mobilizohet më tepër në sigurimin e një mjedisi sa më të pastër. Zbatimi i projektit do të merret përsipër nga grupimi mjedisor “Ekolëvizja”. Një sërë aktivitetesh do të organizohen në kuadër të këtij projekti, i cili do të zgjasë 18 muaj dhe do të shtrihet në 40 shkolla në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Korçë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›