E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: Juridiku, mësimi rinis të martën

Ditën e martë do të marrë fund pezullimi i mësimit në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Shkencave Sociale, sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule. Gjatë një takimi me studentët e këtyre dy fakulteteve, në mjediset e rektoratit, prof. Kule deklaroi dje se universiteti dhe Ministria e Arsimit kanë arritur gjuhën e përbashkët në lidhje me këtë çështje, duke shënjuar shkollën “Petro Nini Luarasi”, si mjedisin provizor ku do të zhvillohet mësimi. Ndërkohë, sipas tij, po negociohet kalimi i kinoklubit të Qytetit Studenti në varësi të Universitetit të Tiranës, për t’u shndërruar në ndërtesën e re të fakulteteve. Ai shprehu edhe ambicien e përbashkët me Kryeministrin Berisha, për ndërtimin e kampusit universitar në fushën përpara Qytetit Studenti, puna për të cilën do të nisë vitin tjetër.

Zgjidhja

“Ministria e Arsimit ka qenë mjaft bashkëpunuese në lidhje me këtë problem”, – deklaroi rektori Kule, duke bërë të ditur se javën e ardhshme do të rinisë mësimi për dy fakultetet. “Pasi u pa rrezikshmëria e ndërtesës, ministria veproi dhe na ofroi mundësitë e zgjedhjeve, qoftë kjo shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi”, që do të mund të përdoret gjatë pasditeve, ashtu edhe Fakulteti i Gjeologji-Minierave”.

Ndërkohë, sipas rektorit, kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme gjatë periudhës që do të nevojitet për të përfunduar negociatat për mjediset e reja të fakultetit. “Ne jemi në negociata për marrjen e Kinoklubit të Qytetit Studenti, ku do të ndërtohen mjedise bashkëkohore mësimdhënieje për fakultetet e Shkencave Sociale dhe të Drejtësisë”, – deklaroi prof. Kule. Ndërkohë, burime nga Ministria e Arsimit bënë dje të ditur se ende nuk ka dalë raporti përfundimtar i grupit të punës, që po verifikon gjendjen e ndërtesës aktuale të fakulteteve. Zëdhënësja e ministrisë, znj. Brikena Kollçinaku, deklaroi për “standard” se grupi i punës i përbërë nga specialistë të ndërtimit, është duke verifikuar në terren gjendjen e godinës.

Kampusi

Por, rektori Kule zgjodhi ditën e djeshme për të lajmëruar edhe një projekt të rëndësishëm për sistemin arsimor universitar. Ai deklaroi se së bashku me Këshillin e Ministrave dhe të mbështetur nga Kryeministri Berisha janë duke shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të një kampusi madhështor përpara Qytetit Studenti, në pjesën ku tani është fusha sportive.

“Ky është një projekt, i cili mund të nisë realizimin që vitin e ardhshëm”, – deklaroi profesor Kulja, duke shtuar se ndërtimi i këtij kampusi do të mundësojë zgjidhjen e problemit të mungesës së mjediseve të mësimdhënies, që ka Universiteti i Tiranës. “Kryeministri Berisha është treguar i gatshëm për ta realizuar këtë projekt”, – deklaroi prof. dr. Kule.

Protesta

Ndërkohë përpara Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës paraditen e djeshme janë mbledhur një grup i vogël studentësh, të cilët kanë protestuar për zvarritjen e zgjidhjes së problemit të Juridikut. Në këtë protestë u kërkua ndërhyrja e menjëhershme e ministrisë dhe u gjykua si indiferent qëndrimi aktual i institucionit. Protestuesit qëndruan për rreth 20 minuta përpara ministrisë, përpara se të shpërndaheshin paqësisht. Ministria e Arsimit reagoi ndaj protestës, duke deklaruar se është duke marrë të gjitha masat dhe se problemi do të zgjidhet shumë shpejt, siç kishte deklaruar edhe rektori Kule. Ndërkohë, protestën në vetvete e cilësoi si të motivuar politikisht. “MASH shpreh keqardhjen për yllkat e kuqe të “Mjaft”-it dhe ndonjë pedagog të Shkencave Sociale, të gjithë bashkë një grusht njerëzish me objektiva politike, pa asnjë interes për të mësuar të vërtetën, por shumë të interesuar për të nxitur panik, duke dëmtuar interesin publik”, – deklaroi ministria.

Premtimi i finalizuar

Problemi i hasur nga studentët e Fakultetit Juridik dhe Shkencave Sociale është një problem i akumuluar prej vitesh. Prej vitit 2004 janë shfaqur krisjet e para në Fakultetin e Drejtësisë, ndërkohë që tre vite përpara këtij viti është kërkuar gjetja e një godine që do të ndante dy fakultetet nga njëri-tjetri. Por, vetëm tani, pasi situata u kthye në rrezik për jetën e studentëve, duket se iu dha një zgjidhje përfundimtare çështjes.

Sakaq, një premtim që duket se do të realizohet përfundimisht është edhe ai i kampusit universitar për UT-në. Prej vitesh është kërkuar dhe është premtuar një realitet i tillë, aq sa në vitin 2004 u duk i sigurt plani për ndërtimin e një kampusi universitar në mjediset e Parkut të Liqenit Artificial. Por vetëm tani, do të mund të shohim një premtim të tillë të finalizuar me projektin e paralajmëruar në Qytetin Studenti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›