E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksimetrat, tarifat e plota për çdo kategori



Që nga çasti i nisjes së taksisë, pasagjeri do të duhet të planifikojë 3 mijë lekë të vjetra. Ky është propozimi i Bashkisë së Tiranës, për taksimetrat, që është shtyrë për mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak. Sipas propozimit në fjalë, si furgonat edhe taksitë që veprojnë në Tiranë do të jenë të detyruara të kenë taksimetër, ndërkohë që do të kenë çmime të paracaktuara dhe jo më me negocim siç ishte deri tani.

Tarifat

Projektvendimi parashikon se për 2 kilometrat e para të kryera pasagjeri do të duhet t’i paguajë taksisë 3 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që për pjesën tjetër të rrugës, 1 mijë e 200 lekë për kilometër. Ndërkohë, në udhëtimet me furgona brenda qytetit nuk do të paguajnë fëmijët nën 12 vjeç, në rast se ata janë të shoqëruar. Janë të pakta ato taksi të licencuara në kryeqytet që operojnë me taksimetër. Pasi deri më tani kjo nismë është në ilegalitet, ndërkohë që pritej të ndryshonte me marrjen e vendimit nga Këshillit Bashkiak, ku ishte vendosur që të miratoheshin të gjitha tarifat për distancat e përshkruara nga taksitë.

Propozimet

Nga drafti i përgatitur nga Bashkia e Tiranës janë bërë dy nënndarje për shërbimin taksi 4+1 vende, si dhe për shërbimin taksi 8+1 vende. Për secilën kategori ka nënndarje të tjera ku janë vendosur çmimet. Tarifat do të jenë të ndryshme gjatë ditëve të festave dhe gjatë natës, ndërkohë që tarifa bazë është 300 lekë për 2 kilometra. Gjithashtu, tarifat ndryshojnë për ata qytetarë që vendosin që të përdorin shërbim taksi gjatë natës apo festave.

Ndërkohë që nuk përshihen në pagesë bagazhet. Në këtë pikë bashkia ka propozuar që të operohet me nj kompromis mes taksistëve dhe udhëtarëve. Gjithashtu nuk do të ketë tarifë për udhëtarët shtesë. Ndërsa tarifa për lajmërimin e taksisë kushton 50 lekë. Për rezervimin e Radio-Taksisë tarifa shkon deri në 60 lekë. Një tjetër tarifë që do t’u kushtojë kryeqytetasve është edhe koha e pritjes, ku është vendosur që tarifa për kohën e pritjes (për orë) të jetë 1.900 lekë për orën e parë, për pjesën tjetër të kohës tarifa vendoset duke negociuar me klientin dhe taksistin.

Këto tarifa janë të njëjta si për taksitë me 4+1 vende, ashtu edhe për taksitë 8+1 vende. Mësohet se në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak ky vendim do të miratohet pa asnjë diskutim dhe më pas do të hyjë në miratim pas 10 ditësh të miratimit të tyre.

Miratohet fond shtesë për kinema “Dajtin”

Këshilli Bashkiak ka miratuar dje një shtesë fondi në Buxhetin e Bashkisë së Tiranës për këtë vit, që pritet të shkojnë për disa elementë shtesë për kinema “Dajtin”. Me shumicë votash u ra dakord që ky fond të jepej në mënyrë që të përfitonin punimet për pjesën tjetër të mbetur.

Banesat sociale, bashkia merr shtesë kredie

Nga mbledhja e djeshme e këtij këshilli gjithashtu u miratua që të jepej një shtesë për kredinë për projektin e financuar nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Evropës, me qëllim ndërtimin e banesave sociale. Bashkia e Tiranës e ka kërkuar këtë shtesë kredie, në mënyrë që të bëhej përfundimi i fazës së parë të projektit për ndërtimin e këtyre banesave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›