E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, mbi 3 mijë automjete e gomone të bllokuara

Që nga fillimi i viteve ’90 e deri më sot, shteti ka humbur dhe vazhdon të humbë miliona dollarë, pasi nuk ka arritur të kalojë në pronësi të tij, si dhe të përdorë me mijëra automjete të bllokuara ndër vite për shkaqe të ndryshme. Bëhet fjalë për qindra skafe e gomone dhe me dhjetëra anije të tonazheve të ndryshme. I gjithë ky arsenal mjetesh motorike, tashmë ndodhet thuajse i amortizuar dhe ka dalë jashtë përdorimit, ndërsa një pjesë tjetër me kohë ka përfunduar përgjatë brigjeve të detit. Kjo situatë me mjetet e bllokuara ka ndodhur për shkak se strukturat shtetërore nuk kanë qenë në gjendje që ta përdorin atë për nevojat e veta, që për hir të së vërtetës janë të shumta. Kufiri detar ka qenë deficitar për mjete patrulluese dhe kanë qenë ndërkombëtarët ata që e kanë mbushur këtë boshllëk me donacione të ndryshme. Po kështu mjaft institucione shtetërore, të cilat kanë në përdorim automjete të vjetra e që i ka ardhur koha të zëvendësohen me mjete të reja si dhe të tjera institucione që nuk disponojnë fare automjete për mungesë fondesh, fare mirë do të pajiseshin nga ky kontingjent automjetesh që mbahen të bllokuara. Kjo situatë është krijuar për shkak se legjislacioni në fuqi nuk është operativ dhe nuk krijon hapësirat e nevojshme për të operuar në këtë sektor.

Automjetet e bllokuara

Në Durrës gjenden katër pika, në të cilat ndodhen të bllokuara me qindra automjete të tipave dhe markave të ndryshme. Pika e parë dhe më e rëndësishmja është ajo e Rrashbullit. Në Rrashbull mbahen të bllokuara gati 1000 automjete. Një pjesë e mirë e tyre janë në gjendje shumë të mirë pune. Këto mjete janë bllokuar nga policia për shkaqe nga më të ndryshmet. Një pjesë tjetër e këtij kontingjenti makinash tashmë ka dalë jashtë përdorimit për shkak të kohës së gjatë të bllokimit. Tjetër pikë ku gjenden makina të bllokuara është edhe ajo e Shkozetit. Atje mbahen automjete të kapura nga ana e policisë përpara vitit 2000. Ka kohë që në këtë pikë të gjitha automjetet, rreth 300 të tilla, kanë dalë jashtë përdorimit dhe vlera e vetme e tyre është tregtimi për skrap. Kjo pikë, për shkak të dekompozimit të baterive të makinave, disa herë është përfshirë nga flakët sidomos në periudhën e verës. Pika e tretë në të cilën gjenden disa dhjetëra makina të bllokuara është sheshi pas Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Durrësit. Atje mbahen makina të bllokuara nga ana e uniformave blu gjatë aksioneve të ndryshme policore dhe pronarët e tyre janë të përfshirë në procese gjyqësore. Pika e katërt me makina tashmë të nxjerra jashtë përdorimit është sheshi prapa godinës së doganës detare në portin e Durrësit. Nga ky territor kanë dalë krejtësisht të shkatërruara për shkak të amortizimit apo të vjedhjes së pjesëve gjatë 16 vjetëve të fundit, me qindra makina të cilat kanë përfunduar nëpër varreza të ndryshme.

Blutë apelojnë

Disa kohë më parë Policia e Durrësit nëpërmjet një njoftimi zyrtar bëri të ditur se mbi 100 makina të bllokuara kishin dalë nga regjimi i bllokimit dhe se pronarët e tyre duhej të paraqiteshin për të nisur procedurat e tërheqjes së tyre. Por ndodhi që vetëm një pjesë fare e vogël e këtyre pronarëve u paraqit për të marrë mjetet e tyre, pasi pjesa më e madhe duket se u kishin bërë dalje automjeteve të tyre. Pas skadimit të këtij afati, shtetit i lind e drejta që t’i sekuestrojë këto automjete dhe t’i kalojë në rezervat e tij e më pas është i lirë t’i trajtojë ato si prona të vetat. Por diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe sipas burimeve që merren me administrimin e këtij arsenali, rezulton se kjo situatë ngjet për shkak se ligji krijon pengesa vështirësisht të pakapërcyeshme për shtetëzimin e këtyre mjeteve. Ndërkohë që këto qindra automjete mbahen të bllokuara, janë me dhjetëra institucionet të cilat kanë nevojë për automjete, por që nuk disponojnë fonde të mjaftueshme në buxhetin e tyre për të blerë mjete me çmimet e tregut. Automjetet që mbahen të bllokuara do të ishin një shans i mirë për të plotësuar nevojat e këtyre institucioneve, pasi shitja e tyre do të realizohej me çmime simbolike. Policia shpesh ka bërë të ditur se me anë të informacioneve të herëpashershme u ka bërë thirrje instancave të larta qeveritare që ato të ndërhyjnë e të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet nga kjo masë makinash.

Skafet dhe gomonet

Një tjetër pasuri që po shkon drejt shkatërrimit përfundimtar janë gomonet dhe skafet e bllokuara nga ana e Policisë së Shtetit. Për strehimin e tyre është përdorur pika e Rrashbullit në Durrës.

Sipas inventarit, rezulton se në këtë vend gjenden 100 skafe dhe gomone të madhësive dhe fuqive të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre janë kapur nga ana e Policisë Kufitare përgjatë bregdetit shqiptar, në tentativë për të trafikuar klandestinë drejt brigjeve italiane. Këto mjete janë kapur dhe burgosur gjatë periudhës 1998 deri në vitin 2003. Për ta mirëmbajtur këtë arsenal mjetesh lundruese ujore, italianët e DIAS (delegacioni italian i ekspertëve) ndërtuan në formë dhurate një ofiçinë të pajisur me teknologjinë e nevojshme, duke menduar se ato do të viheshin në përdorim për të plotësuar nevojat e Policisë Kufitare, në përmbushje të detyrës për patrullimin e brigjeve detare. Por diçka e tillë nuk ndodhi dhe tashmë pjesa më e madhe e këtyre mjeteve është drejt shkatërrimit përfundimtar, për shkak të kohës së gjatë të qëndrimit nën efektet e agjentëve atmosferikë. Pjesë e kësaj flotilje është edhe skafi i famshëm i Sokol Koçiut, i cili po kalon muajt e fundit të dënimit.

Mbi 20 anije uzurpojnë Portin e Durrësit

Të njëjtin fat me makinat dhe skafet kanë pasur edhe mbi 20 anije të bllokuara në afera trafiqesh dhe veprimtarish të tjera të paligjshme. Një pjesë e tyre kanë përfunduar në fund të detit e një pjesë tjetër ka shërbyer ndër vite si rikuperuese për anijet në gjendje pune. Në port ndodhen 8 anije të ankoruara në kalatën ”0” të cilat mbahen të bllokuara prej vitesh e që kanë angazhuar efektivë të shumtë policie për t’i pasur ato në ruajtje. Po aq anije ndodhen të bllokuara në kalatën lindore, por tashmë në gjendje plotësisht të shkatërruara. Edhe pse një kapiten i përgjithshëm i porteve u largua nga detyra për moszbatim të vendimit për largimin e anijeve parazite nga porti i Durrësit, situata atje vazhdon të mbetet e pandryshuar. Këto mjete vazhdojnë të qëndrojnë të ankoruara në të njëjtin vend dhe situate nuk ka ndryshuar aspak, edhe pse kanë kaluar 6 muaj që nga ajo ditë. Kalata lindore vazhdon të jetë e mbushur me anije parazite e gjithashtu ajo vazhdon të jetë varreza e këtij porti. APD (Autoriteti Portual Durrës) ka vendosur me kohë pastrimin e kësaj kalate, por ajo vazhdon të mbetet një problem i madh për portin kryesor të vendit. Varreza në këtë kalatë cenon në mënyrë të vazhdueshme sigurinë e anijeve që hyjnë e dalin nga porti, pasi ato mund të përplasen me hekurishtet e të përfundojnë në fund të ujit. Tjetër problem i tyre është edhe ndotja që ato kanë shkaktuar në një sipërfaqe të madhe të mjedisit detar. Gjithashtu, anijet e bllokuara së bashku me varrezën e hekurishteve janë kthyer në një problem serioz për zbatimin e projektit për zgjerimin dhe modernizimin e kësaj zone. Ky ishte edhe shkaku që në datën 6 maj të këtij viti, ministri i Transporteve, Olldashi shkarkoi nga detyra Vladimir Bejën (i cili deri atë ditë mbante detyrën e kapitenit të Përgjithshëm të porteve) me motivacionin se nuk kishte realizuar detyrën për largimin nga porti të anijeve parazite dhe sistemimin e tyre në Gjirin e Vlorës. Në këtë pjesë të bregdetit të Vlorës janë miratuar dy limane, në të cilat është parashikuar të strehohen këto anije. Ky vendim është marrë në fillim të këtij viti nga ana e qeverisë enkas për pastrimin e kalatës lindore dhe të kalatës ”0” të këtij porti. Sipas studimit të realizuar nga BB për modernizimin e portit detar, kalata lindore zë një vend mjaft të rëndësishëm në zhvillimin e portit më të rëndësishëm të vendit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›