Kule: Kartat, kemi blerë të gjithë kuponët për studentët
Studentët e Universitetit të Tiranës pa pasaportë me jashtë shtetit janë pajisur të gjithë me kuponët për të aplikuar për kartat e identitetit. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule në një deklaratë për median tha se “procesi ka ecur normalisht në bazë të gjitha rregullave”. Rektori Kule bëri të ditur se nuk do të ketë penalizime për studentët. “Me urgjencë i kemi blerë të gjithë kuponët në bazë të procedurave, që parashikon vendimi përkatës i qeverisë. Ka përfunduar edhe procesi i shpërndarjes dhe themi që në një kohë shumë të shkurtër të gjithë studentët do të jenë të pajisur me këtë dokument për zgjedhjet e 28 qershorit. Nuk mund ta ngarkohen dhe të karikohen studentët me idenë se do të penalizohen”, deklaron Kule. Për sa i përket tarifave të shkollimit, Kule qetëson të gjithë studentët e rinj që do të ulen në auditorët e universiteteve se nuk do të ketë rritje të tyre. “Me tarifat aktualisht nuk ka ndodhur asgjë. Ka ndodhur një dukuri tjetër. Ministria e Arsimit ka kërkuar kostot për studentët, pra kostot për studentë dhe tarifat janë dy gjëra krejt të ndryshme”, sqaron Kule. Qeveria tre javë më parë mori vendimin për të dhënë karta identiteti me një çmim prej 200 lekësh për kategorinë e studentëve. Gjithashtu, në vendimin e qeverisë përcaktohej se universitetet do të blinin vetë kuponin e aplikimit për t’u rimbursuar më pas në arkat e shtetit. Nëse nuk do të aplikonin, studentët kishin si penalizim mos futjen në provimet e sezonit.