Kule: Konferenca e Rektorëve do të mbështesë masivizimin
KRUSH është i gatshëm të kontribuojë në procesin e rritjes së standardeve
Në deklaratën e tij të parë si kryetar i Konferencës së Rektorëve, i shoqëruar edhe nga nënkryetari i këtij institucioni, Adrian Civici, Dhori Kule deklaroi se konferenca do të mbështesë fuqimisht masivizimin e universiteteve. Gjatë një konference për shtyp të zhvilluar dje në mjediset e Universitetit të Tiranës, kreu i Konferencës së Rektorëve, Dhori Kule, parashtroi qëllimet e kryesisë së re të konferencës. Konferenca e Rektorëve mbështet politikën e masivizimit në arsimin e lartë të shoqëruar me plotësimin e standardeve cilësore të IAL, në plotësim të detyrimeve që burojnë nga Deklarata e Bolonjës. KRUSH mbështet dhe është i gatshëm të kontribuojë në procesin e rritjes së standardeve cilësore në arsimin parauniversitar si parakusht për standarde cilësore të IAL-ve, - deklaroi prof. Kule. Ai theksoi domosdoshmërinë e fuqizimit të autonomisë institucionale dhe financiare të universiteteve publike dhe zhvillimit cilësor të universiteteve private, si dhe premtoi se KRUSH do të ndikojë në stimulimin dhe rakordimin e mobiliteteve të studentëve dhe stafeve akademike sipas legjislacionit në fuqi. Gjatë fjalës së tij, rektori Kule deklaroi gjithashtu se në bashkëpunim me institucione homologe evropiane e më gjerë, një vend të veçantë do të ketë bashkëpunimi me Universitetet Shqipfolëse të Rajonit. KRUSH do të zhvillojë aktivitete të përbashkëta të anëtarëve të vet në fushën mësimore e kërkimore në funksion të përfitimit nga këmbimi i eksperiencave të anëtarëve të vet. KRUSH do të koordinojë veprimtarinë për të rritur rolin e botës akademike në bashkëpunim me institucione të ndryshme të vendit, - deklaroi kryetari i Konferencës së Rektorëve. Në datën 20 mars 2010, në mjediset e Universitetit Politeknik të Tiranës u zhvillua mbledhja e Konferencës së Rektorëve të Shqipërisë për të zgjedhur drejtuesit e këtij institucioni. Në mbledhje morën pjesë 31 drejtues të IAL nga të cilët 9 të universiteteve publike dhe 22 të universiteteve private. Për postin e kryetarit konkurruan prof. dr. Dhori Kule i UT-së dhe prof. dr. Jorgaq Kaçani i UPT-së, ndërsa për postin e zv. kryetarit: prof. Adrian Civici i UET-së dhe prof. Marenglen Spiro i Universitetit Kristal. Në përfundim të procesit të votimit rezultoi fitues prof. dr. Dhori Kule në pozicionin e kryetarit dhe prof. Adrian Civici në pozicionin e zv. kryetarit.