Tuberkulozi çdo vit shënon 400 raste të reja
Në Ditën Botërore të Tuberkulozit, mjekët bëjnë apel për programe sociale
Kryesisht në zonat verilindore të vendit çdo vit evidentohen 400 raste të reja me tuberkuloz. Dje, në Ditën Botërore të Tuberkulozit, mjekët specialistë të spitalit të Sëmundjeve të Mushkërive Shefqet Ndroqi, kanë bërë apel për rritjen e programeve sociale në këto zona, pasi edhe niveli i varfërisë është shumë më i lartë se në zonat e tjera. Drejtori i programit kombëtar për parandalimin e tuberkulozit, Hasan Hafizi, deklaroi: Prej disa vitesh ne jemi të kënaqur me ecurinë e sëmundjes në vend, pasi shohim se rastet janë ulur ndjeshëm, por ka ardhur koha që programet mjekësore të ndërthuren me ato sociale. Kategoritë më të prekura janë po ato që kemi pasur në vite: të pastrehët, personat me HIV, grupet e margjinalizuara, siç janë komuniteti rom e egjiptian. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që për pacientët e prekur me tuberkuloz, përveç mjekimit falas që marrin në spital, të përfitojnë dhe mbështetje ekonomike, - u shpreh mjeku specialist. Në bazë të programit kombëtar për parandalimin e sëmundjes së tuberkulozit mjekimi për pacientët e prekur është bashkëkohor, por problem, sipas mjekëve, mbetet sensibilizimi i të sëmurëve për të vazhduar mjekimin. Problemi thelbësor që na shqetëson aktualisht, është mjekimi korrekt i pacientëve të prekur me tuberkuloz, pasi nëse ata e refuzojnë, rrezikojnë veten nga vdekja, por mund të bëhen dhe rezistentë ndaj mjekimit. Në këtë ditë i bëj apel gjithë popullatës që të informohet për sëmundjen e tuberkulozit, pasi ai sot është komplet i shërueshëm. Kujdes duhet të kenë në vazhdimin e mjekimit, edhe pse kura e tij zgjat shumë gati 6 muaj, ata duhet të vazhdojnë të mjekohen edhe në rastet kur shohin se nuk kanë asnjë shqetësim, - tha Hafizi. Prej katër vitesh, Shqipëria përfiton një fond prej 1 milion e 260 mijë dollarësh për parandalimin e përhapjes së tuberkulozit. Kjo ka bërë që vendi ynë të mos jetë më një ndër vendet me numrin më të lartë të tuberkulozit në rajon.