E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: Së shpejti nis puna për kampusin e UT-së

Deklarata e Kules, u bë gjatë një takimi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Studentëve, ku merrnin pjesë edhe kryeministri Sali Berisha, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj dhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri.  “Dua t’ju siguroj se shumë shpejt universiteti ynë do të ketë kampusin e vetë madhështor të ngritur në mjediset e hyrjes së Qytetit Studenti. Meqenëse është sot me ne, dua të falënderoj kryeministrin Berisha i cili e ka mbështetur fuqimisht këtë projekt, që do të mundësojë krijimin e një infrastrukture bashkëkohore, jo vetëm në Universitetin e Tiranës, por edhe në universitetet e tjera” theksoi rektori Kule.

Sipas tij, kjo është thjesht një ndër mënyrat që do të paraqesë universiteti, për të krijuar kushtet e përshtatshme për studentët në mënyrë që të bëjnë ndryshimin e nevojshëm në hapësirën universitare. Duke iu drejtuar studentëve rektori Kule tha se “jeni pikërisht ju ata të cilët e sillni ndryshimin edhe në auditorë, jeni ju ata që mundësoni transformimin e arsimit të lartë në vend dhe të institucioneve ku studioni”. “Ne, drejtuesit e institucioneve dhe pedagogët nuk mund të shërbejmë për tjetër gjë veçse të lehtësojmë këtë përpjekje me të gjitha mënyrat. Për këtë arsye, edhe Universiteti i Tiranës do të ndërmarrë prej semestrit të ardhshëm një sërë ndryshimesh, ku më i rëndësishmi është zëri juaj, zëri i studentëve tanë, në thelbin e universitetit, mësimdhënie.”, vijoi ai.

Rektori Kule përshëndeti edhe masivizimin e ciklit të parë të studimeve në universitete. Duke iu rikthyer periudhës kur ai vetë studionte në Fakultetin e Ekonomisë së UT-së, rektori tha se në ndryshim nga atëherë, “në vitin 2009, jam më se i lumtur që kombi shqiptar, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni kanë më shumë se 200 mijë të tillë që do të thotë më shumë se 200 mijë mënyra për të sjellë ndryshimin në hapësirat shqiptare.”

Me këtë rast, ai përshëndeti politikën e qeverisë shqiptare për masivizimin e ciklit të parë të studimeve në universistutet dhe premtoi se do të mbështes fuqimisht me të gjitha mjetet këtë masivizim.
Dita Ndërkombëtare e Studentëve festohet për herë të parë në vendin tonë. Ajo e ka origjinën në Çekosllovakinë e vitit 1939, kur forcat pushtuese naziste shtypën një protestë të studentëve të Universitetit të Pragës, duke ekzekutuar 9 studentë e duke dërguar 1200 të tjerë në kampe përqëndrimi.

Gjatë aktivitetit festiv të ditës së sotshme, përshëndetën edhe përfaqësues të Unioneve Studentore të Universitetit të Tetovës dhe të Universitetit të Maqedonisë, Këshillit Kombëtar Studentor, si edhe përfaqësues të lartë të shtetit.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›