E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: Zgjedhjet u politizuan

23/02/2012  Akuza ndaj forumit rinor socialist, dhunuan procesin e zgjedhjeve me hedhjen e trakteve e fletushkave

Tafaj Në disa fakultet nuk pati zgjedhje pasi pedagogët nuk kishin tituj për të kandiduar

Zgjedhjet në universitete janë shoqëruar me një sërë problemesh, që kanë të bëjnë jo vetëm me tentativat partiake për politizimin e tyre, por dhe me mangësitë profesionale, duke bërë që në disa fakultete dhe departamente të mos zhvillohen fare zgjedhjet. Kjo pasi asnjë prej trupës pedagogjike nuk përmbushte kualifikimet e nevojshme për të konkurruar. I rizgjedhur si rektor në Universitetin e Tiranës, Dhori Kule ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se ka pasur përpjekje nga struktura partiake që garën e zgjedhjeve ta kthejnë në fushatë politike. Sipas Kules, është hera e parë që në zgjedhjet e universiteteve kandidatët kanë qenë të përçarë për arsye politike. Fakt ky, që është vërtetuar ditën e votimit me hedhjen e disa fletushkave e trakteve nga ana e strukturave partiake (siç janë të rinjtë e forumit rinor socialist) në mbështetje të kandidatëve të ndryshëm. Por rezultatet treguan se trupa pedagogjike e studentët nuk u ndikuan nga disa fletushka të shpërndara në fakultete.

Akuzat ndaj FRESSH-it

Dhori Kule tha se një ditë përpara votimit janë shpërndarë trakte nga kundërshtaret për ta sfiduar atë. Duke ngritur akuza ndaj të rinjve të FRESSH-it, Kule rekomandoi që kjo strukturë të mos përfshihet në politizimin e studentëve dhe pedagogëve. “U shpërndanë trakte të kohës së nazizmit, u përpoqën t’u thonë universiteteve ‘votoni kundër pedagogëve të partisë në pushtet’ dhe ky ishte testi më i bukur që ka përballuar universiteti. A mund të ndahen pedagogët në të pozitës dhe opozitës? FRESSH-i, duke qenë strukturë rinore, e këshilloj të futet në linjën e saktë të punëve që duhet të bëjë me rininë”, - ka deklaruar Kule. Megjithatë, ky incident, ka shpjeguar rektori, nuk është bërë pengesë për zhvillimin e zgjedhjeve, pasi rezultatet treguan qartë se cilët duhej të ishin drejtuesit e rinj. Duke u ndalur në objektivat e UT-së për katër vjetët e ardhshëm, Kule ka konfirmuar se do t’i jepet prioritet punës për cilësinë e akademikëve, kërkimit shkencor dhe infrastrukturës së universitetit. “Rezultati është i tillë që më bën krenar për Universitetin. Kanë votuar stafi akademik dhe studentë dhe për mua si rektor në detyrë dhe që më mandatuan dhe për katër vjetët e ardhshëm kanë votuar 275 pedagogë më shumë së konkurrentja, 118 punonjës më shumë dhe 4240 studentë më shumë se konkurrentja, mbi 65% shifrat e të tria subjekteve që kanë votuar në mbështetje të programit dhe progresit për UT-në.”

Mungesa e titujve

Mungesa e kualifikimeve ka bërë që në shumë fakultete e departamente të mos zhvilloheshin zgjedhjet prej mungesës së kandidaturave, pasi asnjë nga stafi akademik nuk plotësonte kushtet e vendosura për titujt dhe gradat shkencore që nevojiten për marrjen e këtyre posteve. Ky fakt është pranuar edhe nga vetë kreu i Ministrisë së Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili, ndërsa ka bërë bilancin e zgjedhje, ka treguar se në 13 për qind të fakulteteve nuk konkurroi asnjë kandidat, për shkak se asnjë pedagog nuk plotëson kriterin bazë, që është titulli “Profesor i asociuar” ose “Doktor i shkencave”, mbrojtur në një universitet të huaj, dhe përvojë akademike në një universitet të huaj pas doktoratës. Sipas ligjit, që një departament apo fakultet të hapet dhe më pas të akreditohet, duhet të ketë personel akademik me grada doktoraturë e lart, çka tregon se këto degë nuk duhet të ekzistojnë. Tafaj u ka këshilluar pedagogëve të këtyre fakulteteve që të aplikojnë me bursat e ekselencës dhe të thirren ish-pedagogët, që tashmë janë emigrantë.

Vetëm 28 për qind e studentëve morën pjesë në zgjedhje

Studentët interes të ulët për

zgjedhjen e drejtuesve të rinj

Rreth 97 për qind e pedagogëve dhe personelit ndihmës në universitete morën pjesë në votime, ndërsa nga studentët morën pjesë vetëm 28.5 për qind, shifër kjo tepër e ulët. Megjithatë, kjo shifër, sipas ekspertëve të Arsimit, paraqitet të jetë më e lartë sesa ato të regjistruara në zgjedhjet e katër vjetve më parë. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, duke bërë bilancin e zgjedhjeve ka deklaruar se në 53 fakultete konkurruan e 2 kandidatë, në 13 fakultete më shumë sesa dy kandidatura. Ndërkohë që në 29 fakultete, ose në 55 për qind të universiteteve, kandidatët ishin të vetëm në garë. Në 13 për qind të fakulteteve nuk pati kandidatura, për shkak se asnjë pedagog nuk plotëson kriterin bazë, që është titulli “Profesor i asociuar” ose “Doktor i shkencave”, mbrojtur në një universitet të huaj apo dhe përvojë akademike në një universitet të huaj pas doktoratës. “Në 175 departamente konkurruan 101 kandidatë të vetëm, pra rreth 57 për qind e departamenteve kishin vetëm 1 kandidat në garë, ndërsa 21 për qind e departamente kishin 2 kandidatë në garë, kurse në 33 departamente ose 19 të tyre nuk u zhvilluan zgjedhje, sepse asnjë pedagog nuk përmbush kriterin që kërkon ligji i Arsimit të lartë, pra gradën “Doktor i shkencave’”, - ka bërë me dije ministri Tafaj. Vetëm në Universitetin e Sporteve janë shtyre zgjedhjet për shkak të një konflikti të brendshëm mbi rregulloren e zgjedhjeve.

Shkak borxhi prej 300 mijë dollarësh

Ujësjellësi i ndërpret

furnizimin Bashkisë Kamëz

Heshtja e treguar për shlyerjen e detyrimeve ka bërë që Ujësjellësi i Tiranës t’i ndërpresë furnizimin Bashkisë së Kamzës. Shkak për këtë ndërprerje të furnizimit me ujë bëhet borxhi prej 300 mijë dollarësh që kjo bashki ka akumuluar prej më shumë se katër vjetësh, duke mos derdhur detyrimet përkatëse ndaj ujësjellësit. Ndërprerja u bë pas disa paralajmërimeve zyrtare që Ujësjellësi i ka bërë këtij institucioni, ndërkohë që ky penalizim do të ndiqet edhe ndaj subjekteve të tjera që kanë borxhe të papaguara. Pas marrjes së këtij veprimi kanë reaguar edhe përfaqësuesit e Bashkisë së Kamzës, të cilët kanë akuzuar Ujësjellësin për veprime arbitrare, duke hedhur poshtë pretendimin për pjesën e debisë për të cilën UKT pretendon, pasi vlera që ndërmarrja e ujësjellësit Kamëz i detyrohet është shumë më e vogël. Sipas burimeve zyrtare të kësaj bashkie, kjo vlerë është refuzuar sepse nuk është bërë shoqërimi me faturat përkatëse, por është zbatuar metoda e faturimit afrofe, gjë që nuk është pranuar dhe çështja është në proces gjyqësor. “Në ato raste kur faturat janë sjellë pranë ndërmarrjes sëujësjellësit Kamëz me ndryshimin e çmimit në mënyrë të njëanshme, kemi bërë refuzimin e tyre, si dhe kemi kundërshtuar modelin e faturimeve afrofe, pasi nuk është zbatuar aktmarrëveshja që kemi me UKT-në në vitin 2007”, - konfirmohet nga Bashkia e Kamzës.

Zonat e izoluara

Emergjencat janë

shpëtuar mbi 200 pacientë

E mëkuara ka shënuar ditën e vetme pa asnjë thirrje për emergjencë shëndetësore në zonat veriore e verilindore të vendit, të cilat për gati një muaj janë në gjendje alarmi. Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë konfirmuar se situata po shkon drejt normalizimit dhe gjatë ditës së djeshme nuk është shënuar asnjë thirrje emergjence për transportimin e të sëmurëve. Në raportin me të fundit të publikuar nga ky dikaster gjatë ditës së djeshme për emergjencat shëndetësore në zonat e bllokuara nga bora bëhet me dije se janë kryer 85 misione nga ajri dhe 103 nga toka, ku janë shpëtuar jetët e afro 200 pacientëve në gjendje të rëndë shëndetësore. Pavarësisht përmirësimit të kushteve të motit, dikasteri i Shëndetësisë vazhdon të jetë në gatishmëri në zonat e bllokuara deri në përfundimin e emergjencës. Ndërkohë që po vijon monitorimi i ndarjes së barnave. Lidhur me këtë situatë drejtori i politikave shëndetësore në këtë institucion, Pëllumb Pipero, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se “deri tani 96 komuna në të gjithë vendin janë furnizuar me pako të përbëra nga medikamentet bazë. “Vlerësoj punën e pakursyer të mjekëve dhe infermierëve, që me përkushtim dhe profesionalizëm në kushte të vështira të dëborës dhe ngricave kanë përballuar pa hezitim situatën, duke mundësuar trajtimin në kohë të dhjetëra rasteve dhe moslejimin e asnjë humbje jete për shkak të mungesës së shërbimit shëndetësor.”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›