E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elber kërkon rritjen progresive për 5 vjet të çmimit të ujit

23/02/2012  Komisioni i Ekonomisë: Kërkesë e paplotë dhe e pashoqëruar me dokumentacionin përkatës

ELBASAN-Kompania “Elber” i është drejtuar Këshillit Bashkiak për miratimin e tarifave të reja të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të ujërave të zeza.

Kështu në bazë të kësaj kërkese kjo kompani ka kërkuar një rritje të tarifave sipas një intervali 5-vjeçar. Kërkesën për rritjen e ujit të pijshëm “Elber” e mbështet në rritjen e energjisë elektrike.

Kështu në bazë të tabelës që shoqëron kërkesën e kompanisë “Elber” rritja që kërkohet është nga 46.3 lekë/m3 aktualisht në 54 lekë për vitin e parë, 60 lekë për vitin e dytë, 66 lekë për vitin e tretë e deri në 80 lekë vitin e pestë. Ndërkohë “Elber” parashikon rritjen edhe për kategoritë biznese, institucione dhe për tarifën fikse muroje, e cila nga 180 që është aktualisht për kategorinë familjarë pritet të shkojë në 200 lekë në vitin e 5-të.

Kërkesa për rritje

Kompania e ka shoqëruar edhe me një nivel të lartë humbjesh që kjo kompani regjistron nga prodhime e deri në shitje për ujin e pijshëm. “Kërkesa jonë për aplikimin e këtyre tarifave bazohet në politikat e sektorit të ujit, të cilat kusht primar për dhënien e subvencionit për energjinë elektrike kanë rritjen e tarifës, mbulimin e kostove dhe përmirësimin e performancës së ujësjellësve deri në eliminimin e plotë të subvencioneve nga shteti. Theksojmë se çmimi i energjisë elektrike çdo vit ka pësuar rritje, ndërsa tarifat e ujit të aplikuara nga ana jonë janë të pandryshuara prej më shumë se 5 vjetësh”. Po kështu kompania kërkesën e justifikon edhe si një mundësi për të kërkuar financues. Ajo deklaron se me fondet e veta nuk do të mund të sigurojë furnizim 24 orë ujë pa ndërprerje, si dhe ndërtimin e funksionimin e impianteve të përpunimit të ujërave të zeza. Kjo kërkesë është diskutuar në Këshillin Bashkiak të Elbasanit. Komisioni i Ekonomisë e ka cilësuar kërkesën të paplotë dhe të pashoqëruar me dokumentacionin përkatës. Këshilltarët e kanë quajtur jo të justifikuar kërkesën për një rritje të vazhdueshme në 5 vjet. Ky komision ka kërkuar që kjo kërkesë të mos miratohet në këshill. Gjithashtu edhe nënkryetari i Këshillit ka kërkuar që kjo çështje të diskutohet edhe në prani të një përfaqësuesi nga “Elber”. Pas këtij diskutimi kërkesa e “Elber” është lënë për në mbledhjen tjetër në pritje që përfaqësuesit e kompanisë ta shoqërojnë me dokumentacionin e kërkuar nga Komisioni i Këshillit Bashkiak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›