Kuliçaj: Shqetësuese vjedhjet e bankave
TIRANE - Vjedhjet e bankave, banesave dhe lokaleve janë problemi më shqetësues për Policinë e Tiranës. Ky ishte shqetësimi kryesor që ngriti dje zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçaj, gjatë analizës 6-mujore të policisë së kryeqytetit. Madje Kuliçi e ka lidhur pikërisht me këtë problem edhe ndryshimin e strukturës së policisë. "Ndryshimet në strukturë e riorganizimet në personelin e policisë, u ideuan dhe u realizuan për të sjellë cilësi më të lartë në Policinë e Shtetit, për të bërë të mundur përzgjedhjen e personelit e për të vlerësuar individët e aftë profesionalisht, si dhe kryerjes me cilësi të punës, si në drejtim të krimit të organizuar ashtu dhe në drejtim të forcës më të lartë zbuluese, kryesisht për krimet kundër pronës", deklaroi zv.drejtori Kuliçaj, gjatë analizës së djeshme. Si prioritet të punës së Policisë së Tiranës për vitin 2010, zv.drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit evidentoi, rritjen e nivelit të luftës kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti. "Një shqetësim i veçantë për policinë në përgjithësi, këtë vit kanë qenë vjedhjet e pronës, të cilat vazhdojnë të jenë problematike për zona të caktuara, sidomos vjedhjet e banesave, bankave, vjedhjet e lokaleve", deklaroi Kuliçaj.