Nuredini: Si do zbatohet ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat
nertila maho
Deklarimi i të ardhurave nga ana e qytetarëve, një praktikë ende e panjohur për Shqipërinë, shumë shpejt do të gjejë zbatim nëse marrim parasysh vendimin e miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë. Zv.drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Besnik Nuredini, shpjegon për gazetën kategoritë e të ardhurave që përfshin vendimi i Qeverisë dhe specifikat e shpenzimeve zbritëse apo që rimbursohen. Sipas Nuredinit, dy janë kategoritë kryesore të shpenzimeve që rimburësohen në fund të vitit dhe këto janë shpenzime për arsimim dhe shëndetësinë, ndërkohë për personat që kalojnë vlerën 800 mijë lekë të të ardhurave, shpenzimet zbritëse nuk njihen.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për deklarimin e të ardhurave edhe për qytetarët. çfarë detyrimi u lind këtyre të fundit me këtë vendim?
Në referencë me ligjin, duhet kuptuar nga gjithë të interesuarit që ligji nuk parashikon dhe nuk do të zbatohet si një bilanc financiar i një firme. Ky trajtohet si një ligj i përcaktuar, siç është edhe në emërtesë, pra ligji i tatimit mbi të ardhurat e çdo qytetari. Me këtë duhet kuptuar që të ardhurat totale që grumbullon një familjar, kryefamiljar apo një qytetar i zakonshëm, por që bën jetë më vete, do tatohen 10 për qind sipas disa kufijve limit, duke zbritur disa shpenzime. Sa për kategorinë e të ardhurave, dihet tashmë që këto të fundit mund të jenë nga paga, nga dividenti (nëse është pjesëmarrës në një kompani), të ardhurat nga interesat bankare dhe të ardhura të tjera mbi të cilat nuk është aplikuar më parë një tatim. Kurse për shpenzimet, që mund të quhen si të zbritshme nga paga bruto që marrim janë: kontributet e llogaritura por të papaguara, interesat bankare të kredisë në rastet kur kjo e fundit është marrë për shkollimin e fëmijës pra nuk bëhet fjalë për kredi familjare dhe shpenzime të tjera që rrjedhin deri në 4.1 për qind të të ardhurave. Të gjitha këto janë shpenzime të zbritshme nga paga bruto që merr një familjar.
çfarë specifikash ka deklarata e të ardhurave vjetore dhe si aplikohet në vende të tjera?
Vendimi i miratuar ka një specifikë që lidhet me shpenzimet e zbritshme apo le ta quajmë një farë "rimbursimi". Ky vendim përcakton se nëse të ardhurat vjetore të një personi janë më shumë se 800 mijë lekë, shpenzimet që përcaktohen si të zbritshme nuk i meren parasysh. Individi do të tatohet mbi masën e të ardhurave që është mbi 800 mijë lekë dhe nuk rimbursohet. çështja e interpretimit të shumës mbi 800 mijë lekë ka një specifikë. Në shumë shtete europiane, po i referohem konkretisht Francës, këtë lloj takse e quajnë taksë solidariteti. Pjesa e shpenzimeve zbritëse që nuk zbriten nga personi që siguron të ardhura vjetore mbi 800 mijë lekë i mbahet në formën e një takse që quhet taksë solidariteti. Domethënë njerëzit që kanë më shumë të ardhura kontribuojnë për shtetin dhe vendin e vet. Ka dhe diçka tjetër që lidhet me këtë ligj. Në Shqipëri ne kemi edhe një tatim që quhet tatimi në burim. Në shtetet që plotësojnë këtë lloj deklarate personale nuk tatohen mbi burim. Kjo ndodh pasi gjithë njerëzit janë të detyruar që të deklarojnë të ardhurat e tyre dhe mbase bën që ky lloj tatimi të hiqet. Sigurisht për vendin tonë këto detaje do të shikohen në referencë me vendet e tjera por edhe me mënyrën e zbatimit praktik.
Mendoni se ky ligj ka ardhur në kohën e duhur duke pasur parasysh këtu infrastrukturën e nevojshme që kërkohet për aplikimin?
Mendoj se nxjerrja e këtij ligji është bërë në kohën e duhur, në radhë të parë për faktin se tanimë shqiptarët e kanë një kartë identiteti dhe numri i saj do të jetë edhe numri i identifikimit tatimor. Më parë kjo gjë nuk ekzistonte dhe vetvetiu nuk mund të zbatohej. Njerëzit gjithashtu kanë krijuar kulturën e mjaftueshme për t'u ndërgjegjësuar për pagesën e taksave. Megjithëse kudo ka probleme dhe duke qenë se mora si shembull Francën edhe kjo e fundit mund t'ju them që ka si problem faktin që bëhen shumë deklarata që nuk plotësojnë një nivel minimal për llogaritje tatimesh. Gjithsesi në ligjin tonë nuk është parashikuar që të ketë ndarje dhe është menduar vetëm që të mos rimbursohen personat me të ardhura mbi 800 mijë lekë. Në rajon kemi si shembull Maqedoninë, e cila ka dy vjet që e ka këtë deklarim. Ne si vend jemi pjesa më e vonuar dhe kjo vjen edhe si shkak i plotësimit të gjithë infrastrukturës së nevojshme. Një qytetar nuk mund të bëjë deklarimin pa marrë kartën e identitetit apo pa fuqizimin e sistemit informatik në administratën tatimore si dhe pa trajnimin e nevojshëm të stafit që mban përsipër azhurnimet e nevojshme që lindin pas deklarimit. Gjithashtu lind nevoja për një sistem adresash të sakta.
çfarë mendoni se do të sjellë ky ligj me zbatimin e tij?
Ky ligj fillimisht na përafron më shumë me praktikën europiane dhe integrimin. Më shumë sesa efekti financiar, ne presim që të bëhet kristalizimi i një sërë elementesh të rëndësishëm. Në Shqipëri ka një numër të pakufizuar njerëzish të cilët trajtohen si njerëz me ndihma ekonomike por që në fakt punojnë në të zezë pasi kanë profesione të lira si mjeshtra ndërtimi, rrobaqepës etj. Këta sigurojnë fitime por nuk janë të regjistruar. Prandaj lind edhe mënyra e vetëdekalrimit që është edhe ajo që ne kemi përqafuar në sistemin tatimor. Ky njeri në momentin që do të bëjë vetëdeklarimin për vitin që iku deri në prillin e vitit pasardhës, do të shpjegojë se me çfarë ka jetuar. Ai do të jetë i interesuar të tregojë në mënyrë shumë rigoroze të ardhurat që ka siguruar nga puna njëvjeçare që ka bërë. Kjo do të thotë që do të jetë shumë i fokusuar pranë punëdhënësit që të bëjë pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore prej punënëdhësit që paga të jetë reale. Ne kemi rreth 70 për qind të të gjithë të punësuarve në Shqipëri që paguhen me pagë minimale por që ne e dimë që kjo nuk është një pagë reale. Ai këtë pagë e bën për efekt të sigurimeve shoqërore për t'u tatuar. Zbatimi i këtij ligji pritet të qartësojë shumë fenomene.
Deklarata e të ardhurave personale
Shembull:
Një qytetar paguhet 50 mijë lekë në muaj pasi ka shlyer gjithë detyrimet e tij duke paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Për gjithë vitin të ardhurat e t ij janë 600 mijë lekë.
50 mijë x 12 muaj= 600 mijë lekë
Ky qytetar ka marrë një kredi për shkollimin e fëmijës apo të vetes dhe interesat bankare mujore (që njihen si shpenzime të zbritshme) shkojnë 5 mijë lekë në muaj. Për gjithë vitin paguan 60 mijë lekë.
5 mijë lekë interesa kredie x 12 muaj =60 mijë lekë.
Qytetari bën edhe një ndërhyrje mjekësore në një spital privat(duhet ta shoqërojë me dokumentacionin që vërteton ndërhyrjen) që njihet si shpenzim deri në masën 4.1 për qind të gjithë shumës së të ardhurave. Nga 600 mijë lekë që janë të ardhurat llogaritet 4.1 për qindëshi.
4.1 për qindëshi i 600 mijë lekëshit = 24 mijë lekë
Qytetari ka dy shpenzime të zbritshme
60 mijë lekë kredia + 24 mijë lekë ndërhyrja = 84 mijë lekë.
Nga 600 mijë lekë hiqen 84 mijë lekë shpenzime të zbritshme.
600 mijë lekë-84 mijë lekë= 516 mijë lekë
Shuma e të ardhurave që do të tatohet është 516 mijë lekë.
Ligji sanksionin aplikimin e 10 përqindëshit mbi të ardhurat.
10 përqindëshi i 516 mijë lekëve është 51,6 mijë lekë
Qytetari në bazë të të ardhurave fillestare ka paguar si tatim fitimi, 10 % të pagës mujore, në rastin tonë 60 mijë lekë në vit. Ndërkohë që tatimi i ri, pas zbritjes së shpenzimeve për arsim e shëndetësi, është 51.6 mijë lekë. Tatimet, pas deklarimit të individit, duhet të kthejnë diferencën, prej 18.4 mijë lekë.