E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyjet dhe mbrojtja e Mjedisit,gati marrëveshja me Austrinë



Asistencë nga Austria për një sërë projektesh të rëndësishme të Mjedisit. Ministri Fatmir Mediu, gjatë një vizite në këtë shtet, u takua me homologun e tij, ku bisedoi për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes dy ministrive, në fushën e mbrojtjes së Mjedisit dhe menaxhimin e burimeve natyrore. Mediu e cilësoi firmosjen e këtij memorandumi, si një hap përpara, në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve. Një nga këto bashkëpunime, është ai i koorporatës së pyjeve austriake, që për disa vite kanë punuar me strukturat shqiptare të mjedisit, në hartimin e planeve të mbarshtimit të sipërfaqeve pyjore. Ministri Mediu kërkoi nga Ministria austriake e Mjedisit, që të asistojë në menaxhimin e pyjeve komunalë, si dhe ngritjen e shërbimit këshillimor në pyje, si një shërbim i ri në vendin tonë. Ministri Mediu vuri në dijeni të pranishmit, për projektin e ngritjes së një Parku Kombëtar në Alpe, me një sipërfaqe prej 200 mijë hektarësh, me një bashkëpunim ndërkufitar mes vendeve fqinje. Ndërkohë që ai theksoi se do të mirëpriste palën austriake, edhe në fushën e trajtimit të mbetjeve spitalore. Ministri austriak i Mjedisit ka ofruar mbështetje maksimale në fushat e kërkuara, ndërkohë që kjo mbështetje, është konfirmuar edhe nga përfaqësuesit e agjencisë së Mjedisit në Austri, gjatë një takimi me ministrin Mediu. Në përfundim të kësaj vizite, specialistë shqiptarë të Mjedisit zhvilluan edhe një vizitë në rajonin e Austrisë së Ulët, ku u njohën me projektet për menaxhimin dhe trajnimin e mbeturinave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›