Zhdukja e ish-drejtorit të “Darfo”, hetohet nga Krimet e Rënda
TIRANE – Dosja penale e hapur në polici pas denoncimit për zhdukjen e ish-drejtorit të “Darfo” Eduart Belegu, i kalon për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas dyshimeve për rrëmbimin e të humburit. Lajmi është pohuar dje nga burime të organit të akuzës, të cilat thanë se pas një vlerësimi të fakteve në lidhje me ngjarjen, policia dhe prokuroria kanë vendosur të hetojnë zhdukjen e Eduart Belegut tek Krimet e Rënda, me dyshimet se bëhet fjalë për rrëmbim personi. Elementi kryesor që ka ndikuar në këtë klasifikim, ka qenë automjeti i Eduart Belegut i cili është gjetur i braktisur në Laprakë, përballë një kompanie tregtimi makinash në rrugën e Durrësit. Sipas hetimeve të deritanishme, braktisja e automjetit dyshohet se ka qenë një veprim që nuk është kryer me dëshirë nga Eduart Belegu. Ndërkohë Policia e Tiranës e cila prej një jave po heton zhdukjen e ish-drejtorit të “Darfo”, Eduart Belegut, tha se po heton për pistën e zhdukjes për shkak të borxheve. Sipas policisë, ish-drejtori i kompanisë “Darfo” u kishte dhënë shuma të mëdha financiare borxh disa personave të cilët nuk pranonin kthimin e detyrimeve të tyre. Burime nga grupi hetimor thanë se, në bazë të disa deklarimeve, mësohet se ditën e mërkurë, kur Eduart Belegu u largua nga banesa e tij, ishte nisur për t’i marrë një personi paratë që i kishte dhënë borxh. Sipas policisë Eduart Belegu ka arritur të marrë paratë, të paktën sipas verifikimeve të deritanishme, por nuk është kthyer më në shtëpi pasi siç dyshohet është rrëmbyer nga persona ende të pa identifikuar. Megjithatë kjo është një nga pistat që po hetohen në lidhje me ngjarjen. Një tjetër pistë e hedhur dje nga policia, është një largim i qëllimshëm i Eduart Belegut, i cili disa muaj më parë u arrestua në Elbasan për abuzime në kompaninë konçesionare “Darfo”. Pak javë më parë Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e Eduart Belegut nga burgu dhe lënien e tij në masën “detyrim paraqitje” ndërkohë që së fundi, mësohet se Prokuroria e Elbasanit kishte vendosur të kërkonte rikthimin e Belegut në burg pas rihetimit të çështjes dhe gjetjes së provave të reja.