E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultura Shkurt

Mozaiku i Tiranës, rijetëzimi 4 milionësh

Një projekt i ri me vlerë prej 4 milionë lekë do të bëjë të mundur restaurimin e mozaikut të Tiranës, një zbulim unikal që mendohet se i takon shekullit IV dhe që dëshmon fillesat e qytetit të Tiranës, që në kohët antike. Ka qenë Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare (DRKK) në Tiranë, e cila ka hartuar këtë projekt që do të financohet në vitin 2009, në mënyrë që Mozaiku i Tiranës, i ndodhur në pjesën perëndimore të kryeqytetit të restaurohet. Drejtori i DRKK-së Tiranë, Vilson Masmalaj, tha se "qëllimi i restaurimit dhe konsolidimit të këtij mozaiku ka rëndësi jo vetëm se bëhet fjalë për teknikën, me të cilën është ndërtuar, por dhe se është një monument, që pasuron më shumë historinë e qytetit të Tiranës". "Në kuadrin e turizmit, ky monument është i vizitueshëm në çdo stinë të vitit”, - tha ai. Specialistët thonë se ky mozaik nuk ka një përcaktim të saktë të datimit të tij, por megjithatë sipas tyre deri tani, mendohet se i përket shek. IV dhe se kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit, që në fillim të shek. III u zëvendësua me vila fshatare (rustika).

Salla me mozaikë e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i vilës ku është gjetur mozaiku, ndërkohë që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Mozaiku ka kryesisht motive gjeometrike dhe florealë, shumë prej të cilave gjenden dhe në mozaikë të tjerë, çka tregon dëshmi të lulëzimit të artit të mozaikut, jo vetëm në qendrat e mëdha qytetare, por dhe në vendbanimet rurale. Ai u zbulua në vitin 1972, kur gjatë ndërtimit të një pallati me kontribut vullnetar në bllokun “Partizani”, të lagjes nr. 9, në perëndim të Tiranës, u vunë re rrënojat e një godine të lashtë, mbi një ambient të shtruar me mozaik. Tani dhe pse ruhet i mbuluar me çati të përhershme, sipërfaqja, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me atmosferën, ka nevojë për një ndërhyrje të menjëhershme, pasi ka shkëputje të teserave nga bazamenti, si dhe çarje të tij. Ndërhyrjet restauruese në mozaikun e Tiranës janë kryer në vitin 1985 dhe në vitin 1993-1994, si dhe në vitin 2004.

Krimet e komunizmit, si libër shkollor në Rumani

Shtëpia botuese “Polirom” në bashkëpunim me Institutin e Hetimit të Krimeve të Komunizmit në Rumani (IIÇR) publikuan librin me titull “Historia e komunizmit në Rumani”. “Një mënyrë e matur dhe e paanshme mbi atë çka ishte komunizmi rumun”, - deklaroi ministri i Arsimit, Shkencës dhe Rinisë, Cristian Adomnitei. Ky botim është një libër shkollor pilot. Kur u publikua libri, autorët njoftuan se prisnin sugjerime që të mund të kompletonin këtë botim. Libri i lartpërmendur, që publikohet 18 vjet pas rrëzimit të komunizmit në Rumani, do të përfshihet këtë vit në programin shkollor si lëndë me zgjedhje. Adomnitei u shpreh se shpresonte që botimi të shndërrohej në pjesë të detyrueshme të programit jo vetëm në shkollat mesme për vitin akademik 2009-2010. Libri përfshin tema si “Komunizmi në luftën e brendshme në Rumani”, “Rrëzimi i pushtetit (1944-1947)”, “Partia Komuniste Rumune”, “Institucionet shtetërore”, “Shkatërrimi i shoqërisë civile dhe shtypja politike” dhe “Monopoli ideologjik”.

Arbëreshët, interpretimi i Anton N. Berishës

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës u promovua libri i shkrimtarit, Anton Nikë Berisha - “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, që edhe praktikisht shënon fillimin e sezonit të ri të promovimeve të librave në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Shkrimtari dhe kritiku Musa Ramadani e vlerësoi lart veprimtarinë krijuese të Anton Nikë Berishës, qoftë si shkrimtar apo edhe si studiues. Sipas Ramadanit në një kohë të tillë, kur libri gjendet në krizë të thellë, krijuesit e mirë dinë të dalin nga kjo situatë duke e shndërruar krizën në krijim produktiv. “Sot kemi të bëjmë me një libër të studimeve shumë specifike - letërsia e Arbëreshëve të Italisë. Është një fenomen sepse kemi të bëjmë me një letërsi të një entiteti shqiptarë, për shkak se Arbëreshët përbëjnë atë entitetin e përgjithshëm të shqiptarëve, i cili është në një fazë të iluminizmit racional”, - thotë Ramadani

Edhe krijuesi Prend Buzhala tha se ky libër përfaqëson vlera të larta studimore dhe estetike për letërsinë e arbëreshëve të Italisë, në veçanti, e në përgjithësi edhe letërsinë shqiptare.

“Lexuesi, po e pati parasysh rrugën e gjatë krijuese prej 4 dekadash të Anton N. Berishës do ta gjejë edhe botën e vet inter-subjektive ne sfondin kritiko-letrar e studimor të këtij autori. Madje, ky libër ka edhe vlerat e veta pedagogjike”, - tha Buzhala. Libri “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” i autorit Anton Nikë Berisha është botuar dy muaj më parë nga “Pelligrini Editore” në Kozencë të Kalabrisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›