E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rindërtohet shkolla “Lidhja e Prizrenit”

Fëmijët që banojnë në “Rrugën e Barrikadave”, (Njësia bashkiake nr. 9), do të fillojnë procesin mësimor në një shkollë tërësisht të rindërtuar. Kësisoj, ky vit i ri akademik do t’i gjejë nxënësit e shkollës “Lidhja e Prizrenit” në auditorë të rinj, laboratorë, palestër, bibliotekë dhe mjedise rekreative, për më shumë mundësi e kushte të favorshme për zhvillimin e procesit mësimor-edukativ. Për herë të parë projekti i shkollës “Lidhja e Prizrenit” është realizuar gjithashtu në funksion të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

Në projektin e rindërtimit të shkollës, godina është shndërruar në 4 kate, me një kapacitet prej 760 nxënësish.

Po ashtu, është shtuar numri i klasave që arrijnë në 24, pesë laboratore me sipërfaqe 200 m2, si dhe mjediset për administratën (69m2)

Çdo kat është pajisur me nuklin e tij të nyejve sanitare, si për nxënësit, ashtu edhe për stafin pedagogjik. Shkollës i janë bashkëlidhur dy shkallë, një qendrore dhe një dytësore në rast evakuimi.

Nxënësit e kësaj shkolle do të ushtrohen këtë vit të ri shkollor në një palestër krejtësisht të re me një sipërfaqe 237 m2, mungesa e së cilës kufizonte veçanërisht organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive.

Shkolla është pajisur me rampa në hyrje të saj, në palestër si dhe në nyjet sanitare të katit përdhes. Uji i pijshëm 24 orë, instalimi i sistemit të ngrohjes, sinjalizimet kundra zjarrit janë kushtet e nevojshme që plotësojnë standardet e një shkolle bashkëkohore.

Ashtu sikurse të gjitha shkollat e përfshira dhe planifikuar në buxhetin për projektin “Ndërtimi dhe rehabilitimi i shkollave të Tiranës” edhe “Lidhja e Prizrenit” është pajisur me mobilim krejtësisht të ri (tryeza, karrige, katedra për mësuesit, rafte për bibliotekë, kabinete dhe laboratorë).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›