PS “harron” kutite, beteje per denoncimin e rasteve korruptive
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste e ka zhvendosur vëmendjen e saj gjatë tri javëve të fundit nga transparenca e zgjedhjeve dhe po shënjestron mbi aferat korruptive të maxhorancës.
Pas dy skandaleve të fundit “Prifti” dhe “Imami”, socialistët që prej dy ditëve po nxjerrin fakte të reja mbi pasurinë e deputetes demokrate Albana Vokshi. Ka qenë deputeti Artan Gaçi, i cili deklaroi dje se kryeministri Sali Berisha i ka falur 4 miliardë dollarë pasuri publike kompanisë së Vokshit, ndërsa ajo e paguan shtetin me një taksë mjaft qesharake.
Ditë më parë, Partia Socialiste zbuloi se Albana Vokshi ka marrë në mënyrë korruptive dy tenderë për hidrocentrale. Ka qenë deputetja socialiste Mimi Kodheli që ka treguar me dokumente të Këshillit të Ministrave favoret që i janë bërë deputetes Vokshi që në legjislaturën e kaluar, kur ka qenë këshilltare ekonomike e kryeministrit Sali Berisha.
Deklarata
“Çdo ditë e më tepër të gjithë shqiptarët po e kuptojnë se pasuria e tyre e përbashkët po vidhet në mënyrë të paturpshme nga qeveria ‘Berisha-Meta’ për të pasuruar veten dhe ata rreth pushtetit të tyre. Ky pushtet nuk mbështetet te vota e qytetarëve të këtij vendi, por te vjedhja sistematike e tyre, nga vota e deri te xhepat e kursimet. Siç ka treguar Partia Socialiste këto ditë, pushteti në krye të shtetit shqiptar, duke injoruar e shkelur me të dyja këmbët ligjet, po rrëmben pasuri nga qytetarët edhe në kohë krize”, - u shpreh Gaçi.
Në kuadrin e korrupsionit që qeveria e ka pasur prioritare luftimin e tij, deputeti socialist deklaroi se nën këshillimin e Vokshit dhe me vendim te tij, kryeministri Berisha i kaloi burrit të këshilltares kontrata për nxjerrje nafte nga nëntoka shqiptare për 25 vjet. Sipas Gaçit, rezervat e naftës në zonat ku kompania e Albana Vokshit punon, kapin një vlerë tregu prej gati 4 miliardë dollarësh. “Kompania e Vokshit dhe Tartarit po nxjerr miliona dollarë duke e paguar shtetin shqiptar me thërrime. Sali Berisha i ka falur deputetes Vokshi pasurinë publike të shqiptarëve. E kuptoni? Sali Berisha i ka falur Albana Vokshit 4 miliardë dollarë të pasurisë publike! Ndërsa taksat që paguan kjo kompani në arkën e shtetit janë qesharake, 2-6%”, - u shpreh Gaçi.
Konflikti ligjor
Deputeti Gaçi deklaroi se kryeministri Berisha ka shkelur ligjin në konflikt të hapur interesi. Gaçi bën me dije se më 8 gusht të vitit 2007, kryeministri Berisha, duke shkelur çdo ligj të konfliktit të interesit e korrupsionit, i fali burrit të këshilltares së tij tri fusha prodhimi nafte funksionale e një fushë gazi natyror. Ndërsa kontrata iu dha me propozim të ministrit të Ekonomisë dhe të vetë Albana Vokshit, një firme pa eksperiencë në këtë sektor e pa projekte të tjera në menaxhim. Tri zonat naftë-mbajtëse, siç deklaron Gaçi, janë në Ballsh, Cakrran dhe Gorisht. “Pasuritë tona publike të nëntokës iu falën Albana Vokshit, kush e di për çfarë interesash. Berisha fali pasurinë e të gjithë shqiptarëve sikur të ishte vetëm ai pronari i saj, për të pasuruar e shpërblyer vuvuzelat e tij. Kjo është fytyra e kalbur e korrupsionit të një pushteti që nuk e njeh shtetin, por vetëm interesat personale të sulltanit e oborrtarëve të tij. Kjo është vjedhje e hapur e pasurisë sonë të përbashkët”, - tha Gaçi.
9 Gusht 2010