E Diel, 1 Nëntor 2026

Vokshi: “Partia Socialiste shpif, do t’i drejtohem gjykatës”



Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar pas akuzave të PS-së se ajo ka bërë favorizime në kohën kur ka qënë këshilltare e kryeminitrit Berisha duke i dhënë babait të fëmijës koncesione. Në një deklaratë për shtyp deputetja e PD-së Vokshi duke i cilësuar këto akuza si shpifje në adresë të saj, ka theksuar se do t'i drejtohet gjykatës për të vënë në vend dinjitetin e saj. "Mungesa në legjislacionin shqiptar e rubrikës për deklarimin e pasurisë për partnerët bashkëjetues, e ka bërë të pamundur deklarimin nga ana ime të pasurisë së zotit Arian Tartari. Sapo ligji të parashikojë rubrikën përkatëse, unë do të zbatoj me përpikmëri kërkesat e tij, ashtu siç kam bërë dhe deri tani", - theksoi Vokshi. Ndërsa për sa i përket pretendimeve se Arian Tartari ka përfituar licenca të favorizuara, Vokshi theksoi se Rama duhet të përgjigjet se nëse i ka ndërhyrë ndokush për leje ndërtimi. "Dëshiroj të pyes Edvin Kristaq Ramën a i ka ndërhyrë ndokush për shumë leje ndërtimi që kompanitë me të cilat ka bashkëpunuar Arian Tartari ka marrë nga bashkia nën drejtimin e tij? Po për licencat e tjera që ai ka përfituar para 2005, periudhë në të cilën qeveriste PS kush ka ndërhyrë? Arjan Tartari, ka filluar bizneset e tij që në vitin 1990 dhe ka punuar pa ndërprerje dhe me korrektesën më të madhe pavarësisht se cila parti ka qeverisur", - thekson më tej Vokshi. Ajo gjithashtu thekson se nuk ka bërë as edhe një ndërhyrje në favor të biznesit të tij as për leje ndërtimi, as për licenca të tjera duke shtuar se në rast se vërtetohet e kundërta jam e gatshme të heq dorë nga mandati i saj. "Lidhur me shpifjet dhe trillimet e turpshme të Edvin Kristaq Ramës do t' i drejtohem gjykatës në mënyrë që të vë në vend dinjitetin dhe drejtësinë mbi këtë rast", - përfundoi Vokshi.

Akuzat
Partia Socialiste, ditë më parë ka akuzuar ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, se është i përfshirë në afera korruptive. PS-ja ka kërkuar që prokuroria të vihet në lëvizje për të hetuar pasuritë e tij të padeklaruara. PS-ja i ka kërkuar Priftit të japë llogari për pasurimin e tij brenda një viti me 2 miliardë e gjysmë lekë, i cili është shprehur se i ka fituar ato para nga shitja e aksioneve në kompaninë farmaceutike “Megafarma”. Ndërkaq, PS-ja është ndalur edhe në aferat korrupive të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ku nuk mbetet i paimplikuar sërish edhe ministri Prifti. Ka qenë deputeti socialist Eduard Shalsi që deklaroi se të dy ministrat kanë nxjerrë në proces privatizimi Fushën e Aviacionit. Ndërkohë që, nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës elektorale pati premtuar se do ta shndërronte atë në park publik.
Por, Partia Socialiste ka depozituar pranë prokurorisë jo pak, por nëntë padi ndaj ministrave dhe deputetëve të Partisë Demokratike. Shumica e padive përmbajnë akuzën e shpifjes ndaj deputetëve demokratë, ndërsa ministri i Ekonomisë, Prifti, akuzohet për korrupsion. Sipas PS-së, kanë shpifur dhe akuzuar padrejtësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të paditurit Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Ferdinand Poni, Gerti Bogdani, Florion Mima, Lajla Pernaska, Erla Mëhilli dhe Dritan Prifti.

Transparenca
Edhe pse gjatë këtyre tri javëve Partia Socialiste ka “harruar” zgjidhjen e krizës politike dhe është përqendruar te aktet korruptive të maxhorancës, selia rozë, gjatë gjithë vitit nuk u zmbraps nga beteja për transparencën e zgjedhjeve të kaluara. Në këto kushte, nëse maxhoranca nuk do të shprehë vullnetin e saj për transparencën e zgjedhjeve të kaluara, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka paralajmëruar një aksion më të madh politik në muajin shtator, duke risjellë si opsion zhvillimin e protestave.
Ai i porositi gazetarët që të pushojnë sa më mirë se në shtator do të ketë shumë punë. Lideri i opozitës vlerësoi se, pa dyshim, protestat janë pjesë e rrugës së tyre opozitare. "Në këto kushte ne na takon të jemi zëri i të vërtetave të thjeshta e pa dyshim të jemi zëri i protestës. Protestat janë pjesë e rrugës sonë opozitare në kushtet kur jetojmë në një Shqipëri, ku jo vetëm janë vjedhur zgjedhjet, por përditë e më shumë vidhet pasuria e përbashkët", - është shprehur kreu i opozitës. Megjithatë, edhe në këto ditë të nxehta vere negociatat për zgjidhjen e krizës politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike vazhdojnë. PS-ja ka shprehur gatishmërinë e saj për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor. Ajo akuzon maxhorancën se nuk ka vullnet të zbatojë Rezolutën e Parlamentit Europian.

9 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›