Senatorët italianë vlerësojnë ecurinë e reformave në Shqipëri

Një grup senatorësh italianë, anëtarë të Delegacionit Italian në Asamblenë Parlamentarë të NATO-s po zhvillojnë sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u pritën në kryesinë e Kuvendit, nga anëtarë të delegacionit homolog shqiptar. Senatorët italianë dhe parlamentarët shqiptarë diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Senatori Sergio de Gregorio, vlerësoi ecurinë e reformave në Shqipëri, duke theksuar se" vendi juaj e meriton të jetë anëtar i NATO-s”. Në këtë kuadër ai vlerësoi kontributin e palës shqiptare në misionet paqeruajtëse të Aleancës në zona të ndryshme të globit. Senatori italian tha se "nëse vijon ecuria e reformave Shqipëria do të bëhet pjesë edhe e Bashkimit Europian". Nga ana e tyre, parlamentarët shqiptarë vlerësuan bashkëpunimin dhe kontributin e Italisë në procesin e ristrukturimit të Ushtrisë Shqiptare. Ata i njohën senatorët italianë me reformat e deritanishme të qeverisë shqiptare, duke theksuar se hyrja në NATO është meritë e përbashkët e të dy krahëve të politikës. Nga ana e tij, deputeti Preç Zogaj, duke vlerësuar mbështetjen e Italisë për Shqipërinë kërkoi prej saj ndihmesë në liberalizimin e vizave me BE-në, si një domosdoshmëri për qytetarët shqiptarë.
...