Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, shpreh mirënjohje e krenari për tërë strukturat që përballuan tragjedinë e Gërdecit
Ministrja e shëndetësisë, znj.Anila Godo, në një konferencë për shtyp, falenderoi përpara mediave tërë strukturat shëndetësore, stafin e ministrisë së shëndetësisë të një viti më parë dhe tërë fqinjët tanë për ndihmën e gatishmërinë maratonë, gjatë tragjedisë së Gërdecit. Gjithashtu, Godo i shprehu ngushellimet më të thella familjarëve të prekur nga kjo tragjedi. “Kaloi një vit nga shpërthimi tragjik në Gërdec. Shpreh edhe një herë ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, siç kam bërë me shpirt shumë herë dhe them se nuk është njerëzore që ky përvjetor të përdoret për qëllime të tjera.”- u shpreh ministrja Godo. “Shfletova dosjen që disponon Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë ngjarje dhe ndjej detyrim të shpreh me shumë respekt, mirënjohjen për tërë aparatin e ministrisë që kryesohej nga Nard Ndoka, për organizimin e menjëhershëm të gatishmërisë në koordinim me strukturat e tjera qeveritare. Dua të shpreh mirënjohje për drejtuesit, mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët dhe të tërë ata që shërbyen pa kursyer veten, për të shpëtuar njerëzit e për të lehtësuar dhimbjen e tyre. Lista shkon shumë e gjatë. Mjekët e vjetër e të rinj u paraqitën në vendet e punës menjëherë pa i thirrur askush. Pesha e madhe ra kryesisht mbi repartet e kirurgjisë, urgjencës, traumatollogjisë, repartit të djegies, qendrës së transfuzionit të gjakut, ambulancave. Qendra Spitalore “Nënë Tereza”, Spitali Ushtarak, Spitali i Durrësit, treguan gatishmeri të plotë dhe efiçencën më të lartë.Shëndetësia u mbështet fuqimisht nga qytetarët. Kur shoqet e mia shkuan të dhuronin gjak, gjetën një rradhë të gjatë e u thanë se gjak kishin mjaftueshëm e nuk duhej më tepër.” Një falënderim të veçantë, Ministrja Godo, u percolli vendeve tona fqinjë, në veçanti bashkëatdhetarëve kosovarë e maqedonas. “Ndihma e vendeve fqinjë ishte e çmuar. Gjak erdhi nga Kosova e Maqedonia. 26 persona u morën menjëherë për mjekim në Itali. Po ashtu Greqia e shumë vende të tjera.” Në fund të fjalës së saj, Ministrja Godo shprehu krenarinë për njerëzit që përballuan këtë tragjedi, për solidaritetin njerëzor. “ Të gjitha këto nuk duhen harruar. Nuk duhet harruar solidariteti i madh njerëzor, pa të cilin dëmet do të ishin më të rënda. Ndjej krenari që punoj me njerëzit, të cilët dolën përpara, kur fatkeqësia trokiti në derë. Ndjej krenari që shëndetësia bëri gjithçka ishte e mundur të bënte dhe që e bëri më së miri” – tha Ministrja e shëndetësisë Anila Godo.
...