E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultura si prioritet politik

Potenciali i një kombi nuk gjykohet vetëm nga numrat statistikorë, nga madhësia e vendit apo e popullsisë, por nga niveli mesatar i dijeve të tij. Gjithmonë tek popujt ka një ndërlidhje të drejtë ndërmjet kulturës, librit, mendësisë së vendit, zhvillimit ekonomik e qytetar. I vetëdijshëm për këtë marrëdhënie, Presidenti i Republikës, që në fillim të mandatit e ka trajtuar kulturën si një prioritet të politikës së tij. Sfidat e mëdha të integrimit evropian e bëjnë të ngutshme nevojën e ngritjes së nivelit kulturor të vendit, në veçanti për mbrojtjen dhe forcimin e tipareve të kulturës kombëtare, sepse si në të gjitha integrimet e mëdha përveç përfitimeve, kulturat përballen edhe me risqe. Në fjalën e tij me ambasadorët e Shqipërisë, të akredituar në vende të ndryshme, Presidenti i sensibilizuar nga realitete të emigracionit shqiptar nëpër botë, që lidhen me identitetin, kulturën dhe gjuhën, shtroi si problem të ngutshëm “ndërtimin e menjëhershëm të qendrave kulturore shqiptare, sidomos në ato vende ku numri i shqiptarëve është i konsiderueshëm, sepse një vend i cili më shumë se 25% të popullsisë së vet e ka diasporë të re, duhet patjetër të përgjigjet për të ardhmen e saj”. Libri, si mjeti kryesor i veikulimit të kulturës së shkruar, duhet të jetë përparësi e politikave tona kulturore shkencore, por edhe ekonomike e sociale dhe për këtë ndihet nevoja e një platforme politike dhe bërja realitet e fondit kombëtar për librin si zë më vete në buxhetin e shtetit. Në këtë kontekst, në panairin e librit, Presidenti Topi u gjet në anën e lexuesve dhe të botuesve, duke u dhënë atyre mbështetje të plotë në aktivitetin e tyre, duke e vënë theksin tek leximi si mënyra më e mirë edukimit mendor tek lehtësirat që shteti duhet të mundësojë në marrëdhënien botues-shtet e botues-lexues si dhe tek ringritja e rrjetit të bibliotekave, në mënyrë që libri të mos mungojë për askënd. Duke gjykuar nga tërësia e problemeve që shfaqen në rrugën e librit, i bie që Institucionet shtetërore që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejtë me librin, duhet të kujdesen më shumë për mbrojtjen e të drejtave të lexuesve, për mbrojtjen e të drejtave të autorëve për reformimin e dy strukturave problematike, distributorit të librit dhe respektimi i të gjitha detyrimeve që sjell ligji për librin. Presidenti i Republikës ka treguar një vëmendje të veçantë për forcimin e kujtesës historike dhe për aktualizimin e vlerave që ajo mbart. Kujdestaria për konferencën kushtuar 100 vjetorit të lindjes së albanologut të madh, Eqrem Çabej, dhe fjala e mbajtur në të, janë një mesazh me disa këndvështrime për krejt shoqërinë dhe institucionet sepse “gjuha është universi i çdo kombi. Pa të një komb nuk ka ekzistencë. Në të është shkruar historia e tij e shkuar dhe e tashme. Veç duhet ditur si të lexohet ajo. Çabej qe mjeshtër i saj”. Jubileu tjetër i madh, ai i 100-vjetorit të alfabetit të Kongresit të Manastirit, si elementi më identitar i kombit tonë, si shprehje e vullnetit të hershëm për të qenë pjesë integrale e kulturës evropiane, përkufizohet nga Presidenti I Republikës si kthesë e madhe historike, e cila gjithmonë duhet të respektohet si e tillë. “Me Kongresin e Manastirit lidhet e tërë kultura e kombit shqiptar që u shkrua, u ruajt e u zhvillua me alfabetin e krijuar nga ai kongres i elitës shqiptare”.

Gjithashtu, në disa raste Presidenti ka bërë ftesë publike për një kulturë të re historike, të bazuar mbi kritere shkencore e jo mbi pasione ideologjike “për të shmangur leximin e njëanshëm e ideologjik dhe mbulimin e saj nga pluhuri i harresës. Kujtimi i së kaluarës do të thotë respekt për të ardhmen. Ne do të dëshmonim një vizion mjaft të gjymtuar të këtyre viteve, po të tentonim të ndërtonim një demokraci të mbështetur mbi harresën”.

Në ditën botërore të librit, Presidenti priti në një takim të veçantë emrat më të spikatur të librit shqip. Qe një bashkëbisedim i hapur për të gjithë atmosferën kulturore të kombit tonë për raportet e reja dhe ndërkomunikimin kulturor me shtetin e ri të Kosovës duke e konsideruar atë si politikë parësore me idenë se një shoqëri moderne dhe rrënjët shpirtërore të një populli andej dhe këtej kufirit ushqehen nga kultura e tij, nga shkolla kombëtare, gjithashtu sepse zhvillimi i një vendi varet shumë nga kapacitetet intelektuale që shkolla i ofron shoqërisë.

Respekti shtetëror dhe sjellja në vëmendje e veprës dhe aktivitetit të figurave të rëndësishme të kulturës kombëtare është shfaqur edhe në dhënien e medaljeve dhe dekoratave të ndryshme, siç është urdhri “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” për Fan Nolin, “Nderi i Kombit” për aktorin me famë botërore me origjinë shqiptare Xhejms Belushi, shkrimtarin Vath Koreshi, artistin Avni Mula etj. apo urdhrin “Ambasador i Kombit” për shumë artistë shqiptarë që me sukseset e tyre në skenat botërore janë sponsorët më të mirë të imazhit të shqiptarëve.

Mesazhet e Presidentit të Republikës në lëmenjtë e kulturës e shfaqin atë si prioritet politik integrues ashtu siç dëshironin dijetarë si Branko Merxhani që shkruante “Nga Perëndimi! - Ja zgjidhja e çlirimit mendor të popullit tonë. Djemtë t’onë të mësuar e kanë për detyrë të gjurmojnë dhe të çfaqin kulturën kombëtare që gjendet brenda në shpirtin e popullit dhe ta shartojmë me qytetërim oksidental të tërë e të gjallë!”

*Ndihmës për kulturën në Presidencë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›