E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori: Kjo gjykatë, jokompetente për shqyrtimin e kërkesës së Telitit e Tomës

Çështja “Gërdeci” dhe vendimet e marra për të nga gjykatat është marrë si precedencë nga avokati i Armand Telitit dhe Andi Tomës për kërkesën e depozituar prej tyre në Gjykatën e Tiranës. Një vendim i dhënë pak muaj më parë nga Gjykata e Lartë për të pandehurit e kësaj çështjeje, është kërkuar të merret si precedent për një çështje të konsideruar të ngjashme nga avokati Genc Gjokutaj. Avokati i Tomës dhe Telitit kërkoi nga gjyqtari Sokol Tona, që ta marrë si provë këtë vendim, para se të merret vendim për kërkesën e prokurorit Kraja, i cili kërkoi dje shpalljen e moskompetencës lëndore për kërkesën e bërë nga Armand Teliti e Andi Toma, lidhur me kërkesën për zgjatjen edhe një muaj të procesit hetimor. Sipas përfaqësuesit të akuzës në Prokurorinë e Përgjithshme, kjo kërkesë nuk mund të shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës, pasi nën hetim është edhe një deputet dhe duke qenë procedimet hetimore të lidhura, atëherë kjo kërkesë duhet shqyrtuar në Gjykatën e Lartë. “As vetë kërkuesit nuk kanë qenë të bindur se në cilën gjykatë duhet ta depozitonin kërkesën, ndaj dhe u janë drejtuar të dyja gjykatave”, - shtoi në deklarimin e tij para togave të zeza prokurori Kraja. Por, sipas avokatit Gjokutaj, kjo kërkesë duhet shqyrtuar nga Gjykata e Tiranës, pasi ka një praktikë nga Gjykata e Lartë për një çështje të ngjashme që ka një deputet nën hetim, e cila ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e një kërkese të Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësim të masave të sigurisë, vendim që do t’i vihej në dispozicion edhe gjykatës nga pala kërkuese. Në këtë moment ka ndërhyrë prokurori Kraja, i cili është shprehur se është e vërtetë që ka një vendim të Gjykatës së Lartë, por rastet nuk janë të ngjashme, pasi në kërkesën që shqyrtoi kjo gjykatë, bëhej fjalë për caktim mase sigurimi vetjake për të pandehurit, ndërsa në rastin e kërkesës së Tomës dhe Telitit, bëhet fjalë për zgjatje të hetimeve, pasi në çështjen që po hetohet ka edhe një person që është aktualisht deputet. Sipas prokurorit Kraja, bëhet fjalë për deputetin Lulzim Basha, ish-ministër i Transporteve në kohën kur janë konstatuar shkeljet për të cilat ka filluar hetimi. “Deputeti Basha është një person nën hetim, ndërsa për Andi Tomën dhe Armand Telitin nga ana e prokurorisë u është komunikuar akuza e “shpërdorimit të detyrës” për rrugën Rrëshen-Kalimash”, - përfundoi prokurori i çështjes, ndërkohë që shtoi se si provë paraqet aktet e njoftimit të akuzës për Tomën e Telitin, si dhe procesverbalin e marrjes në pyetje për ministrin Basha. Kryesuesi i seancës, Sokol Tona, ka caktuar ditën e sotme, orën 11:00, për të shpallur vendimin lidhur me këtë kërkesë dhe pretendimet e palëve. Dy kërkuesit Armand Teliti dhe Andi Toma, ish-zyrtarë të Ministrisë së Transporteve, i kërkuan gjykatës pezullimin e kërkesës së prokurorit Kraja për zgjatje një muaj të procesit hetimor, duke e quajtur atë një kërkesë me prapaskenë të qëllimshme politike.

Avokati

Gjykata e Tiranës, kompetente për shqyrtimin e kërkesës, sepse si precedencë është një vendim i dhënë për të pandehurit e çështjes “Gërdeci” nga Gjykata e Lartë

Prokurori

Rastet nuk janë të ngjashme. Çështja “Gërdeci” bënte fjalë për caktim mase sigurie vetjake, ndërsa rasti juaj për zgjatje të afateve hetimore, pasi mes jush është nën hetim edhe një deputet

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›