E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rikthimi i trurit”



Debati politik, por edhe ai publik, është fokusuar ndjeshëm në raport-analizën e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Pa dashur të përsëris të dhënat dhe vlerësime apo dhe detyra të këtij dokumenti të rëndësishëm, do të doja të fokusohesha në impaktet e drejtpërdrejta të progresit të shënuar, jo vetëm për ato që njihen si kritere politike, por edhe lidhur me kriteret ekonomike dhe përafrimin e standardeve me BE-në.

Janë pikërisht përmirësimet e këtyre kritereve, stabiliteti makroekonomik, një rritje ekonomike prej 6% (më e larta nga viti 2002), të ardhurat mesatare për kapital në 22% të nivelit të BE-së etj. që projektohen në një mjedis më të sigurt për shtetasit e këtij vendi, për më shumë mundësi për të realizuar standarde më të mira jetese.

Përgjatë gjithë tranzicionit, dukuria e emigrimit ka qenë në thelb të ndryshimeve ekonomike dhe sociale që kanë ndodhur në Shqipëri. Vlerësohet se rreth 800.000 shqiptarë apo 27.5% e popullatës jetojnë jashtë kufijve tanë, shifra më e lartë në krahasim dhe me të gjitha vendet e Evropës Lindore

Ndërkohë që ky emigrim i fortë ka pasur dhe ka pasojat e veta pozitive dhe negative të tij, është detyrë e politikave ekonomike, që të bëjnë maksimizimin e aspekteve pozitive dhe minimizimin e aspekteve negative të emigracionit.

Në kontekstin e përgjithshëm të emigracionit veçohen tri aspekte madhore që meritojnë vëmendje të veçantë: remitancat, rikthimi i qëndrueshëm i emigrantëve dhe rrjedhja e trurit.

Sipas Bankës Botërore, remitancat e dërguara nga emigrantët shqiptarë vlerësohen nga 12-15% e GDP-së, gati madhësia e një sektori ekonomik. Sigurisht, ky është një ndër faktorët që luan rol në zvogëlimin e varfërisë, veçanërisht të personave që nuk janë në marrëdhënie pune.

Sidoqoftë, kjo vlerë monetare e injektuar në ekonominë shqiptare nga emigrimi, lidhur me impaktin social-ekonomik, për shumë vite, mbeti i pamjaftueshëm për të rritur prodhimin e brendshëm.

Kjo, pasi nuk ka pasur investime nga këto të ardhura. Investimet mund të sjellin më shumë punësim, dhe për brezat më të ri, të cilët në kushtet e papunësisë kërkojnë të emigrojnë. Pra, në këtë rast emigrimi riciklon emigrimin.

Rikthim i qëndrueshëm i emigrantëve - Nga studime të kryera (nga organizata vendase apo IOM), rezulton se ndoshta më shumë se gjysma e emigrantëve shqiptarë, veçanërisht në Greqi dhe Itali, dëshirojnë të kthehen në vend, por vetëm pas 10-15 vjetësh qëndrimi në vendet ku janë. Ky rikthim është veçanërisht i rëndësishëm për rritjen ekonomike në vend, pasi ata mund të sjellin kapital, përvojë të re në punë dhe ide të reja.

Një studim i IOM (2005), vlerëson se emigrantët që kanë një kohë të gjatë që punojnë, kanë akumuluar një sasi kapitali që shkon nga 10-15 milion euro. Nga ky grup emigrantësh, 38% e tyre kanë qëllim të kthehen dhe të investojnë në Shqipëri. Por kjo lidhet me një pritshmëri të lartë nga ana e tyre, që në Shqipëri të ketë një siguri investimesh dhe standard më të mirë jetese.

Rrjedhja apo ikja e trurit - Të dhënat flasin se rreth 50% e pedagogëve, kërkuesve dhe intelektualëve, të shkolluar jo vetëm në vend, por edhe jashtë tij, e kanë lënë vendin që prej vitit 1990 e në vazhdim. Rreth 66% e shqiptarëve me tituj shkencorë, si doktoratura, kanë emigruar nga Shqipëria ose nuk janë kthyer pas kryerjes së studimeve. Ky emigrim ka vazhduar me një grup domethënës të pasuniversitarëve apo studentëve që qëndrojnë jashtë edha pas mbarimit të studimeve.

Kjo është e rëndësishme, pasi njerëzit e pajisur me një nivel të lartë kapitali njerëzor përbëjnë një nga faktorët madhorë, ndoshta një faktor kyç, që promovojnë rritjen ekonomike në vend.

Një sfidë e qeverisë është sigurimi i terrenit për të kaluar nga fenomeni i njohur si ‘brain drain’ - rrjedhje e trurit, në atë të ‘brain gain’ - rikthimi i trurit.

Ky kapital intelektual mund të bëhet një aset i vlefshëm për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE. Përveç kontributit në kapitalin njerëzor, shqiptarët e emigruar kanë dhe potencialin për të mbështetur zhvillimin nëpërmjet kapitalit ekonomik në terma të burimeve financiare dhe remitancave, si edhe një kapitali social nëpërmjet rrjeteve sociale, që lehtësojnë transfertën e kapitalit njerëzor dhe ekonomik, e duke stimuluar zhvillimin e biznesit dhe investimet.

Që prej vitit 2005, qeveria shqiptare ka vendosur si një prioritet të lartë kapitalin njerëzor. Direkt i lidhur me këtë prioritet, është procesi i përmbysjes së fenomenit të “rrjedhjes së trurit”. Rikthimi i emigrantëve të kualifikuar është një politikë kyçe e strategjisë së qeverisë për migracionin për të arritur një angazhim efektiv të diasporës shqiptare në proceset e zhvillimit. Me kërkesë të qeverisë, PNUD-i po zbaton një program të tillë, në bashkëpunim me kabinetin e Kryeministrit Berisha, Ministrinë e Brendshme, Institutin e Diasporës pranë MPJ-së dhe Ministrinë e Edukimit dhe Shkencës. Ky program ka tashmë një database aktive të dhënash, në të cilën janë të regjistruar mbi 150 individë. Ndërkohe që nga lidhjet me organizata të tjera studentore apo shkencëtarësh shqiptarë, numri i personave gati dhjetëfishohet. Deri më tani, Brain Gain mbështet 100 vende pune në universitete me paketa nxitëse, si dhe 20 vende pune në administratë.

Nga sondazhe të kryera me studentë jashtë vendit, rezulton se rreth 15% e tyre synojnë të rikthehen në vend, ndërsa rreth 40% janë ende të pavendosur.

Deklarohen rreth 25.000 studentë që studiojnë jashtë Shqipërisë, nga të cilët rreth 16.000 në Itali, të tjerët në SHBA, Gjermani, Francë, Angli, etj. Nga një sondazh i fundit (tetor 2007), i kryer nga AS@N, rezulton se rreth 15% prej tyre shprehen të sigurt që do të kthehen. Ndërkohë që vetëm para 2-3 vjetësh kjo shifër shkonte në vetëm rreth 5-6%.

Duket se ne shqiptarët tashmë kemi filluar të qartësojmë pikëpyetjen që ka tejlodhur mendjet tona: “A do bëhet ndonjëherë ky vend?” Dhe besoj se nuk jam e vetme në përgjigjen që gjej: “Ky vend po bëhet!”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›