I dërguari i BE për Ballkanin, shfaqet emri i Chris Patten
Pas rrëzimit të kandidaturave të Paddy Ashdown dhe Miroslav Lajcak për postin e emisarit të BE-së për Ballkanin ka dalë në dritë emri i një tjetër britaniku, përkatësisht ish-komisionerit për çështjet e jashtme, Chriss Paten. Këtë e bën të ditur e përditshmja britanike “The Guardian” e datës 5 qershor, e cila analizon procesin e përzgjedhjes së njeriut që do të udhëheqë negociatat me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi. Ideja e një të dërguari special për Ballkanin Perëndimor përkrahet nga të gjithë, por procesi paraqitet i tensionuar në seleksionimin e kandidaturave. Pas shumë diskutimeve, letrave me shkrim dore të përcjella nga palët dhe viteve të politikave kontradiktore dhe nismave të gabuara, përfundimisht BE ka rënë dakord në caktimin e rolit të të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor, thekson Kenneth Morrison në artikullin e tij në “The Guardian”. Vendimi jo përfundimtar është marrë dhe ende nuk janë propozuar formalisht emrat kandidatë për këtë post në takimin e së mërkurës në Sarajevë. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, baronesha Catherine Ashton po shqyrton kandidaturat për postin që pritet të ketë një rol të rëndësishëm. Në Samitin e Sarajevës, kandidatët më seriozë, siç shkruanin mediat serbe, por edhe boshnjake e kroate, ishin Paddy Ashdown dhe Miroslav Lajçak, të dy ish-përfaqësues të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në BeH. I dërguari i ardhshëm për Ballkanin Perëndimor do të përfaqësohet në Këshillin e BE-së, duke u bërë pjesë e aparatit të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, e cila edhe e emëron zyrtarisht. Ashdown, i cili aktualisht nuk kryen asnjë funksion të lartë publik, dhe Lajçak, ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, edhe pas largimit nga posti i përfaqësuesve të lartë për BeH, janë interesuar për ngjarjet në Ballkan. Ashdown ka dalë më parë me idenë për nevojën e një të dërguari të BE-së për Ballkanin Perëndimor. “I dërguari special për BeH nuk do të ishte ide e mirë, por i dërguari i veçantë për Ballkanin do të ishte më shumë se një gjë e mirë”, është shprehur Ashdown për mediat e Sarajevës. Pranimin për këtë emërim, sipas mediave serbe, e ka afishuar shefi i ri i diplomacisë britanike, William Hague.
Në shkrimin e saj, “The Guardian” thekson se Paddy Ashdown,
është kundërshtuar nga disa vende të BE-së si pasojë e rolit të tij të fortë dhe parimor gjatë periudhës kur ka qenë i dërguar i komunitetit ndërkombëtar për Bosnjën. Gjermania dhe Franca kanë qenë kundërshtarët e kandidaturës së lordit Ashdown. Ndërkaq, e përditshmja londineze në artikullin e saj thekson se Chris Patten është një tjetër emër që përfshihet në listën e kandidatëve dhe mund të jetë kandidati më i fortë në sensin se ka bagazhin e një përfaqësuesi të lartë. Ai ka përvojë si komisioner i BE-së për Punët e Jashtme, por ende është Gjermania që e kundërshton kandidaturën e tij.