E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kumbaro, dështon marrja e vendimit në Gjykatën e Lartë

TIRANE-Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dështuan sot të marrin një vendim lidhur me masën e sigurisë së ish-agjentit të Shërbimit Informativ Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha në vitin 1995 në Tiranë.
Në seancën e sotme, janë mbledhur 12 anëtarë të Kolegjeve të Bashkuara nga 17 që janë gjithsej, pa mundur të plotësojnë kuorumin e nevojshëm të anëtarëve për vendimarrje.
Shkak për këtë situatë është bërë bllokimi i emërimit të anëtarëve të rinj të gjykatës së Lartë çka ka krijuar vende vakante në këtë institucion.
Kjo është seanca e dytë në këtë gjykatë e cila dështon për shkak të mungesës së kuorumit të anëtarëve.
Disa gjyqtarë të Gjykatës së Lartë nuk mund të marrin pjesë në gjyq pasi kanë shqyrtuar dosjen në seance të mëparshme.

Ilir Kumbaro është arrestuar në Angli dhe është në pritje të ekstradimit në Shqipëri ku pritet të përballet me akuzat.
Ndaj tij në vendin tonë është vendosur masa e arrestit me burg në mungesë, masë e cila është kundërshtuar nga avokatët në Gjykatën e Lartë. Kumbaro akuzohet se është i përfshirë në zhdukjen e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›