E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kumbaro kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Avokatët e të akuzuarit për zhdukjen e Remzi Hoxhës pretendojnë se duhet të shfuqizohet masa e sigurisë


TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të ish-SHIK-asit Ilir Kumbaro, i cili është arrestuar në Angli dhe nga ku pritet të ekstradohet në Shqipëri, i janë drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë arrest me burg dhënë në vitin 2003.


Ndërkohë, këtë kërkesë togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, të cilët po e gjykojnë të pandehurin Kumbaro bashkë me ish-kolegët e tij Arben Sefgjini e Avni Koldashi, e rrëzuan duke lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg dhënë në mungesë në vitin 2003.


Në arsyetimin e rrëzimit të kësaj kërkese, gjykata u shpreh se "avokatët nuk kanë tagër (përfaqësim) nga i pandehuri që kjo kërkesë të bëhet nga ju". Pasi, sipas tyre, kërkesa për shuarje të masës së sigurisë bëhet ekskluzivisht vetëm nga i pandehuri apo i arrestuari.


Ndërsa, sipas rekursit që tashmë është deponuar pranë Gjykatës së Lartë, thuhet se kjo masë sigurie është dhënë më 18 shkurt 2003 me kërkesë të prokurorisë nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pasi ndaj Kumbaros ishin ngritur akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe torturës.


"Pasi janë zhvilluar hetimet nga ana e organit të akuzës, më 1 korrik 2004 është arritur në përfundimin se ndaj të pandehurit Ilir Kumbaro duhet vendosur pushimi i çështjes penale, me arsyetimin se akuza e shpërdorimit të detyrës është amnistuar me ligjin nr. 8202 të datës 27 mars 1997, "Për amnistinë".


Gjithashtu, prokuroria ka vendosur pushimin e akuzës edhe për veprën penale të torturës me pasoja të rënda në bashkëpunim, me arsyetimin se "akuza mbetet e paprovuar deri në atë shkallë sa që çështja të paraqitet për gjykim",-thuhet në rekursin e firmosur nga avokatët Vojo Bregu dhe Bledar Fejzo.


Sipas tyre, me pushimin e çështjes në korrik të 2004 edhe masa e sigurisë arrest me burg caktuar ndaj Kumbaros është shuar, d.m.th. ka rënë nga fuqia që me vendimin e pushimit të procedimit penal.


Gjithashtu, avokatët pretendojnë në kërkesën e tyre, se kjo masë sigurie që ndodhet në fuqi dhe si pasojë e kësaj, i pandehuri Ilir Kumbaro është shpallur në kërkim dhe arrestuar në Angli, i ka kaluar të gjitha afatet e parashikuara.


Pritet në ditët në vazhdim që Gjykata e Lartë të shprehet, në lidhje me pranimin e këtij rekursi të shuarjes së masës së sigurisë apo refuzimin e kësaj kërkese, duke lënë në fuqi vendimin e masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë në vitin 2003.


I pandehuri Kumbaro bashkë me Sefgjinin e Koldashin, akuzohen se kanë rrëmbyer dhe më pas torturuar shtetasit Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj e biznesmenin kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk dihet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›