Topi dhe Mustafaj, bashkë tek familja Hajdari
Mustafaj ka udhëtuar së bashku me Presidentin Topi në një makinë për në shtëpinë e Azem Hajdarit
Nuk ka munguar në homazhet e kryera në nder të "Pishtarit të Demokracisë" Azem Hajdari edhe kreu i shtetit, Bamir Topi. Por, pavarësisht se 12 shtatori përbën për politikën shqiptare dhe në veçanti për Partinë Demokratike, një ditë të rëndësishme, pasi në të kujtohet simboli i lëvizjeve së dhjetorit 1999, Azem Hajdari, kjo ditë i ka gjetur demokratët më të ndarë se çdo përvjetor tjetër. Kështu, ndërsa Kryeministri Berisha ka hezituar të marrë pjesë në ceremonitë e ditës së djeshme për shkak të mospërballjes me kreun e shtetit, Bamir Topi, ky i fundit i është kundërpërgjigjur me një mënyrë tjetër. Ndërsa ka vizituar familjen e Hajdari, Topi ka qenë i shoqëruar nga një prej figurave kryesore të PD-së, Besnik Mustafaj, i njohur si një nga kundërshtarët dhe kritikët më të njohur të Kryeministrit Berisha. Topi dhe Mustafaj kanë udhëtuar së bashku me makinën e Presidentit drejt shtëpisë së Hajdarit, ku dhe kanë kryer vizitën me rastin e 11-vjetorit të ndarjes nga jeta të liderit të dhjetorit. Gjatë vizitës dhe bashkëbisedimit me familjarët, kreu i shtetit shqiptar, përmendi dhe ndau me ta disa prej kujtimeve më të veçanta dhe më të paharrueshme të njohjes, miqësisë dhe punës me të ndjerin Azem Hajdari, duke nënvizuar forcën e tij të karakterit, guximin, vetëmohimin dhe besimin tek populli shqiptar dhe triumfi e konsolidimi i demokracisë në Shqipërisë. Bashkëshortja, fëmijët dhe të afërmit e të ndjerit Azem Hajdari, falënderuan Presidentin Topi për nderimin që i bën gjithmonë kujtimit të "Pishtarit të Demokracisë", duke shprehur njëkohësisht edhe një herë mirënjohjen për vizitën. "Natyrisht që vitet kalojnë shumë shpejt, por Azemi mbetet në memorien e gjithsecilit, sidomos të miqve dhe të shokëve të tij. Një njeri shumë i veçantë, me një karakter të fortë, gati-gati të papërsëritshëm. Kjo është arsyeja që ne e kujtojmë Azemin jo vetëm në përvjetorin e rënies së tij, por në çdo moment tjetër kur flitet për heronj. Ne, heronjtë i përfytyrojmë si personazhet e librave, por ky është një hero, që ne e kemi parë në çdo hap, e kemi parë shumë afër në aksionin politik dhe në aksionin shoqëror. E thashë edhe në takim me familjarët e Azemit që është një nga ato personazhe, i cili përkujtohet pa asnjë lloj note hipokrizie. Përkujtohet me shumë vlerësim, me shumë dëshirë dhe besoj që kështu do ta kujtojnë Azemin të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët, si dhe ata që e kanë njohur nga larg, besoj që edhe ju", - tha Presidenti i Republikës për mediat, pas vizitës së tij në familjen e Azem Hajdarit.