E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare:Energjia 13 për qind më shtrenjtë gjatë vitit 2010

ERE miratoi dje tarifat e reja të energjisë. Ruhet pagesa me dy blloqe, më të fituarit prodhuesit e bukës. OSSH kishte kërkuar rritje me 23 %. Hejsek: Nuk e prisnim një vendim të tillë


TIRANË - Konsumatorët shqiptarë do të përballen me një rritje çmimi prej 13 për qind duke filluar prej janarit të vitit në vijim. Enti Rregullator i Energjisë vendosi dje të marrë pjesërisht parasysh kërkesën e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për rritjen e çmimit të energjisë duke ruajtur sistemin e pagesës me blloqe. Edhe gjatë vitit 2010 blloku i parë do të jetë deri në 300 kilovat.


Sipas tarifave të reja, për sa i përket bllokut të parë kemi një rritje me 10 për qind. Pra, për çdo kilovat të harxhuar brenda bllokut të parë konsumatorët familjarë do ta paguajnë me 7.7 lekë nga 7 lekë ka qënë deri më tani. Me tarifat e reja të energjisë më të prekur do të jenë ata që harxhojnë më shumë se 300 kilovat orë.


Nga 12 lekë që paguanin deri më tani, për çdo kilovat të harxhuar mbi bllokun e parë konsumatorët familjarë do ta paguajnë me 13.5 lekë. Me tarifat e miratuara dje, çmimi mesatar për konsumatorët familjarë nga 8.94 lekë për kilovat orë që është tani në 9.5 lekë për kilovat/orë.


Tarifat e miratuara nga ERE hasën në kundërshtimin Drejtorit të Çështjeve Rregullatore të OSSH-së, Indrit Baholli, i cili theksoi se rritja e energjisë deri në këtë masë nuk i lejon asaj përfundimin e investimeve të parashikuara.


"Me masën e propozuar nga grupi i punës nuk përmbushen plotësisht kërkesat që ne kemi bërë. Në këtë mënyrë është e pamundur arritja e atij niveli të ardhurash që ne kemi parashikuar për vitin 2010. Për të realizuar investimet e parashikuara duhen para"- tha Baholli duke theksuar se vendimi i Bordit të ERE-s le për të dëshiruar.


Nga ana tjetër, vetë Drejtori i Bordit të OSSH-së, Josef Hejsek, i cili nuk ishte i pranishëm gjatë publikimit të vendimit të ERE-s theksoi se miratimi i një rritjeje në këtë masë, ishte diçka e papritur për të.


Ai nuk pranoi të bëntë komente mbi veprimet e mëpasshme që do të ndjekë OSSH-ja për kundërshtimin ose jo të vendimit të ERE-s duke theksuar se në ditët në vazhdim do të dilet me një qëndrim zyrtar të këtij Operatori.


Krahas OSSH-së, kundërshtues ndaj tarifave të miratuara nga ERE kanë qenë edhe dy operatorët e tjerë, atij të transmetimit dhe KESH-it.


Në kërkesën e saj drejtuar ERE-s, OST kishte kërkuar një rritje të tarifës nga 0.5 lekë për kilovat që është aktulisht, në 0.9 lekë. Edhe operatori i prodhimit, KESH.sh.a kishte kërkuar një rritje me 0.9 lekë për kilovat orë.


Pra nga 1.6 lekë për kilovat orë që është deri më tani në 2.5 lekë. Gjatë mbledhjes së djeshme ERE vendosi të marrë pjesërisht parasysh kërkesat e tyre duke miratuar një çmim 0.6 lekë për kilovat orë për OST-në dhe 2.03 lekë për kË/h për çdo kilovat që KESH I shet Operatorëve të tjerë.


Pas publikimit të vendimit të bordit drejtues të ERE-s drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku, theksoi se kjo masë rritjeje e miratuar do të bëjë që gjatë vitit 2010 të mungojnë 2 miliardë lekë në arkën e këtij operatori.


Të njëjtën linjë ka mbrojtur edhe përfaqësuesja e OST-së, Subije Xhepa. Sipas saj, rritja në këtë masë bëhet pengesë për përmbushjen e investimeve të parashikuara nga ky operator gjatë vitit 2010.


Në fund të muajit shtator, OSSH aplikoi pranë ERE-s për një rritje të çmimit të energjisë elektrike mesatarisht me 44.2 për qind brenda dy viteve, me pretendimin se po përballej me humbje të mëdha për shkak të mospagesave të energjisë elektrike nga konsumatorët. Në këtë mënyrë, OSSH parashikonte te mbulonte humbjet duke i dhënë mundësi kompanisë që të investonte në përmirësimin e infrastrukturës.


ERE: Miratuam tarifat duke u bazuar tek kostoja


TIRANË- Grupi i punës pranë ERE-s ngritur enkas për të shqyrtuar rritjen e çmimit të energjisë për vitin 2010 ka mbrojtur propozimet e tij duke theksuar se tarifat janë përllogaritur duke u bazuar tek kosto e secilës prej tyre.


Gjatë fjalës së saj, Rajmonda Islamaj, drejtore e këtij grupi, theksoi se gjatë shqyrtimit të kërkesës parësore ka qënë mbrojtja e interesave të konsumatorëve familjarë por edhe miratimi i një niveli tarifash sa më afër kostos. " Gjatë shqyrtimit të kërkesës mbrojtja e konsumatorëve familjarë ka qënë parësore duke përcaktuar qartë koston e shërbimeve", - tha ajo.


Një nga arsyet e tjera që ERE ka preferuar të ruajë sistemin e pageses me blloqe ka qënë dekurajimi i përdorimit të energjisë për ngrohje apo për qëllime të tjera të ngjashme nga konsumatorët.


Për sa i përket qëndrimeve të operatorëve si OSSH, KESH apo OST se një rritje në këtë masë do të ndikonte në uljen e nivelit të investimeve, mbi bazën e përllogaritjeve të bëra nga grupi i punës ERE thekson se fondet që do të përfitohen gjatë vitit të ardhshëm bëjnë të mundur furnizimin pa ndërprerje të konsumatorëve me energji.


"ERE vlerëson se çmimet dhe tarifat e miratuara të energjisë elekrike sigurojnë të ardhurat e nevojshme për shoqëritë KESH sh.a, OST sh.a dhe OSSH sh.a për të lejuar një furnizim të pandërprerë me energji elektrike të konsumatorëve tariforë gjatë gjithë vitit 2010", - theksohet në deklaratën e theksohet në deklaratën e ERE-s.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›