Rama: Çmimi i ri energjisë zeron rritjen e rrogave
PS vijoi turin e protestave në qytetin e Beratit, duke kërkuar hapjen e kutive ose largimin e Berishës
Braçe: "Paga e dhjetorit për të gjithë administratën, policë, mjekë, mësues do paguhet në janar"
TIRANË - Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ka qenë në fokusin e shqetësimeve të përcjella dje nga Partia Socialiste, gjatë protestës së zhvilluar në Berat. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar dje gjatë protestës se fillimisht çmimi i ri i energjisë bën zero rritjen e rrogave e të pensioneve të këtij viti.
"Bizneset e vogla, që mbajnë dhjetëra mijëra familje dhe arkat e pushtetit vendor kanosen që nga një janari me TVSH-në e tatim fitimit. Falimentim i sigurt për shumicën e tyre. Rritje e pashmangshme çmimesh në dyqanet që do të mbijetojnë.
Punësimi zero. Ushqime më të shtrenjta. Fuqi blerëse që do të bjerë muaj pas muaji, libra më të shtrenjta shkollash, vizita më të shtrenjta, spitale më të rrënuar. 800 mijë shqiptarë të pasiguruar, për shkak se nuk janë në marrëdhënie pune prej dy muajsh duhet të paguajnë 4-5 herë më shumë për të trokitur te një derë mjeku. 30 mijë familje të reja bien nën nivelin e varfërisë dhe hyjnë në kushtet e ndihmës ekonomike...", - u shpreh Rama.
Kryetari i opozitës shtoi se në këtë ngricë ekonomike që ka pllakosur mbarë vendin, sundon një pushtet pa legjitimitet dhe ligjëron një parlament pa opozitë në prag të një viti të ri.
"Ky pushtet i grabitur do t'i mbajë forcërisht mbyllur kutitë e votimit. Ky pushtet agresiv do të bëjë çmos ta kthejë qeverinë e vendit në një regjim për llogari të një familjeje, familjes së Sali Berishës", - tha Rama.
Ai theksoi se opozita do të protestojë për të drejta dhe liri që nuk falen, nuk shiten, nuk negociohen. "Hap kutitë ose largohu Sali Berisha. Sepse nuk mund ta shpallësh opozitën mafia në vitin 2009, në mes të Evropës. Nuk mund ta përdorësh pushtetin për të vërsulur shtetin kundër opozitës.
Nuk mund të sundosh mbi këtë popull duke i treguar opozitës darët e ligjit. Dhe kush, ti, që je i zhytur fund e krye në borxh me ligjin dhe Kushtetutën", - tha ai. Për kreun e opozitës, viti 2010 do të jetë viti i protestave të mëdha, për të larguar përfundimisht Berishën nga ky pushtet i korruptuar.
Në tubimin e organizuar në sheshin para Pallatit të Kulturës "Margarita Tutulani", edhe pse në një kohë me shi, ishin qindra anëtarë, simpatizantë dhe qytetarë të Beratit, të cilët me parulla ndër duar kanë kërkuar largimin e Berishës nga pushteti.
Mitingu i djeshëm është përshëndetur edhe nga kryebashkiaku Fadil Nasufi dhe deputetët Ermonela Felaj dhe Erion Braçe. Ky i fundit deklaroi se Berisha ka ndërmarrë një fushatë lufte kundër opozitës. "Ne na konsideron si rrezik kombëtar.
Është betuar të na eliminojë të gjithëve ne", - shtoi ai. Braçe shtoi se 200% janë rritur tarifat në spitale. "Ndërkohë, kanë tre muaj pa marrë rrogat mësuesit në dispozicion.
Mësuesit nuk flasin se kanë frikë. Miliona euro kanë pa marrë investitorët, sepse qeveria ka falimentuar, paga e dhjetorit për të gjithë administratën, policë, mjekë, mësues, etj., do paguhet në janar, sepse në këtë vend duhet të gëzojë vetëm një familje.
Kjo protestë nuk është vetëm një vullnet i Ramës, por i 80 mijë socialistëve, i deputetëve të Partisë Socialiste, i tre milionë shqiptarëve, që po vuajnë falimentimin e shtetit", - tha Braçe. Në mitingun e djeshëm nuk ishin të pranishëm drejtuesit e partive të vogla opozitare.