Dorëzohet qeveria, akreditohet kryetarja e misionit vëzhgues të ODIHR
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri akreditoi kreun e vëzhguesve të OSBE-ODIHR në Shqipëri. Misioni vëzhgues do të kryesohet nga ambasadorja britanike, Audrey Glover.
Merr kështu fund beteja e kryeministrit shqiptar për të mos pranuar zonjën Glover në krye të misionit vëzhgues.
Duke u përpjekur të përgatisë një terren për të ndërhyrë në zgjedhje e madje dhe për t’i kontestuar ato, kryeministri Sali Berisha nuk pranoi emrin e kryevëzhgueses së ODIHR që i dha notë negative procesit zgjedhor në maj të vitit 1996.
Në një njoftim për shtyp KQZ bëri të ditur se komisioni miratoi me unanimitet të plotë akreditimin e 39 vëzhguesve afatgjatë, pjesë e misionit të OSBE-ODHIR që do të monitorojë zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit.
Misioni i OSBE për monitorimin e zgjedhjeve, ODIHR, deklaroi këtë javë se qeveria shqiptare kishte kundërshtuar caktimin e ambasadores Audrey Glover si kryetare të misionit vëzhgues ndërkombëtar.
ODIHR tha se kundërshtimi i emërimit të zonjës Glover nuk ishte një hap i duhur dhe qeveritë nuk kanë rol në emërimin dhe përzgjedhjen e kryetarëve të misioneve vëzhguese të ODIHR.
Menjëherë pas kundërshtimit të qeverisë, reagoi ashpër Brukseli, që deklaroi se një hap i tillë është shumë i rrezikshëm dhe nuk është aspak mënyra se si vepron një vend që kërkon të anëtarësohet në BE. Vetë kryediplomati i BE, Havier Solana, shprehu shqetësim për këtë gjë, duke kërcënuar madje se, nëse ngërçi do të vazhdonte, Shqipëria nuk do të merrte dritë jeshile për aplikimin që ka bërë në prill për anëtarësim në BE.
Treshja e diplomatëve të BE në vendin tonë e takoi kryeministrin shqiptar para disa ditësh. Ky i fundit u shpreh se nuk do pranonte emrin e Glover, por burimet thonë se pati dhe shenja luhatjeje.
Pas rritjes së presionit ndërkombëtar, kryeministrit nuk i ngelej asgjë tjetër veçse të dorëzohej dhe të pranonte emrin e Glover.
ODIHR: Hera e parë që një qeveri kundërshton drejtuesin e misionit vëzhgues
Jens Hagen Eschenbaecher, zëdhënës i Zyrës së OSBE për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, që njihet me inicialet ODIHR, tha për DW në një prononcim nga Varshava se “është hera e parë që një qeveri kundërshton emërimin e një drejtueseje të misioneve tona”. Ai shtoi se ODIHR i qëndron plotësisht vendimit të tij që t`ia besojë ambasadores britanike drejtimin e misionit vëzhgues për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri.”
Qeveritë, sqaroi ai, nuk kanë asnjë rol në procesin e zgjedhjes dhe emërimit të kryesuesve të misioneve vëzhguese zgjedhore të ODIHR. Kjo është përgjegjësi vetëm e ODIHR.
“Nëse një qeverie do t´i jepej një rol në procesin e zgjedhjes se vëzhguesve, ky do të ishte fundi i vëzhgimit objektiv dhe të paanshëm”, - tha ai për DW.
Jens Hagen Eschenbaecher e cilësoi ambasadoren Glover si “një eksperte me përvojë shumëvjeçare, që ka drejtuar misione vëzhguese në shumë vende. Ai tha se në letrën zyrtare që qeveria e Tiranës i ka dërguar ODIHR, shkruhet se arsyeja e kundërshtimit të ambasadores Glover është pakënaqësia ndaj raportit të misionit të vëzhguesve të ODIHR, të drejtuar prej saj në zgjedhjet e vitit 1996. “Kanë kaluar 13 vite që atëherë dhe tani po fokusohemi në të tashmen dhe jo të shkuarën”, - tha zëdhënësi i ODIHR. Nuk ka asnjë bazë për të vënë në diskutim rolin e ambasadores Glover në zgjedhjet e vitit 1996, kur ajo ishte drejtore e ODIHR. Qeveritë dhe opozitat mund të mos pëlqejnë gjithmonë konkluzionet tona, por përfundimisht nuk ka asnjë bazë për qëndrime të njëanshme në punën e misioneve vëzhguese të ODIHR, as atëherë, as tani”, - vuri në dukje zëdhënësi i ODIHR, Jens Hagen Eschenbaecher.
Zëdhënësi i ODIHR tha se Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut është e gatshme të bashkëpunoje me palët e interesuara në Shqipëri në përputhje me mandatin e saj për të realizuar procesin vëzhgues të zgjedhjeve.