E Diel, 1 Nëntor 2026

Kunder Venecias Gjata I drejtohet vetem Kushtetuesja

Ish kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata nuk është dakord që çështja për rezultatin e Bashkisë Tiranë të përfundojë në Komisionin e Venecias. Për Albanian Screen, Gjata thotë këtij komisioni i drejtohet vetëm Gjykata Kushtetuese.

“Është një çështje jo e nivelit që mund të shkojë në Komisionin e Venecias. Për mendimin tim, është Gjykata Kushtetuese, ajo që i drejtohet këtij institucioni për çështje të parimeve kushtetuese, për përplasje të ngjarjeve me parime kushtetuese, për rregullime kushtetuese. Është organ këshillimor, nuk është krijuar të zgjidhë problemet tona. Pra, jo për çdo çështje në gjykatë, gjyqtari duhet t’i drejtohet komisionit. Është një çështje kolegji. Për çështjen se a duhet të numërohen fletët në kutinë e gabuar, jam i sigurt që ata do të shohin të habitur e do të thonë që nuk e dinë se si bëhet kjo punë”-shprehet Gjata.

Lidhur me ripërsëritjen e zgjedhjeve në KZAZ 49, Gjata thotë se kjo çështje duhet parë në aspektin ligjor, pasi përsëritja bëhet vetëm në rastin kur kërkohet pavlefshmëria.

“Për çështjet e rinumërimit duhet t’i drejtohen KQZ-së para se të shkojnë në Kolegj sepse KQZ ka vepruar si KZAZ. Akoma nuk është inspiruar si KQZ. E dyta përsa i takon përsëritjes së zgjedhjeve në një njësi apo diku tjetër, duhet parë ligji. Përsëritja nuk vendoset si negociatë, mblidhen dy palë e gjejnë një rrugë të mesme sepse do ishte kundra ligjit. Duhet të heqim dorë nga zgjidhjet politike në dëm të ligjit. Përsërisja bëhet kur kërkohet pavlefshmëria. Dhe kjo përcaktohet në ligj. Por duhet të shohim ditën e zgjedhjeve për të kërkuar pavlefshmërinë, dhe çfarë ndodhi atë ditë? Asgjë. Dita e zgjedhjeve ka qenë një nga më të mirat”-thotë Gjata.

Presioneve partiake ndaj Kolegjit Zgjedhor, Gjata i përgjigjet duke thënë se çështja është më tepër tekniko-ligjore dhe partitë duhet të presin rezultatin e Kolegjit.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›