Forumi i Grave, rezolutë për respektimin e kuotës gjinore
Forumet politike të grave në rajon, të mbledhura në Tiranë në takimin rajonal të organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë miratuan rezolutën, ku i bëhet thirrje partive parlamentare të respektojnë kuotën gjinore të përfaqësimit të gruas në politikë, duke konsideruar se gratë dhe vajzat gëzojnë të njëjtat të drejta si burrat
dhe djemtë për të qenë pjesë e vendim-marrjes në strukturat partiake, në Parlament dhe në Qeveri.
Në takimin e forumeve politike të grave të rajonit, e thirrur nga LDGSH morën pjesë Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Jozefina Topalli, Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, Kryetarja e LDGSH, Albana Vokshi, në kujdesin e të cilës u mbajt takimi si dhe përfaqësuese nga: Nea
Dimokratia (ND)Greqi, PDK, LDK, AAK Kosovë, VMRO-DPMNE, Maqedoni dhe
forumet e grave të partive në Shqipëri; LGI, PR dhe PDIU. Forumet e grave të opozitës , të ftuara në këtë takim refuzuan të merrnin pjesë.
Rezoluta e Forumit të Grave
Shoqëria shqiptare është në rrugën drejt modernizimit dhe europianizimit. Ky proces përfshin implementimin e detyrimeve ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për të siguruar respektimin e barazisë gjinore dhe të drejtat e grave. Në të gjithë Botën, është pranuar gjerësisht se një përfaqësim më i barabartë i grave dhe burrave në Parlament është i nevojshëm për të reflektuar më saktësisht përbërjen e shoqërisë dhe për të siguruar se janë marrë në konsideratë edhe interesat e grave. Vitet e fundit janë miratuar disa ligje dhe strategji, janë ndërmarrë masa dhe janë ngritur institucione për të arritur një përfaqësim më të barabartë të grave. Edhe pse janë ndërmarrë hapa pozitivë, janë
vërejtur edhe mangësi. Në veçanti, zgjidhjet ligjore mbeten inefiçente dhe kërkojnë
përmirësim të mëtejshëm dhe partitë politike shqiptare mbeten pas në krahasim me homologët e tyre europianë. Për më tepër, Shqipëria mbetet mbrapa disa prej fqinjëve të saj më të afërt, për sa i përket barazisë së grave dhe proceseve të vendim-marrjes së tyre politike. Për të adresuar këtë, gra dhe burra, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile kanë krijuar një koalicion të gjerë, i cili po shtyn përpara axhendën e fokusuar në përmirësimin e të drejtave politike të grave. Ata kanë shprehur qartësisht se cilat janë pritshmërinë e tyre nga partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre në Parlament. Ne, pjesëmarrëse në Tryezën Rajonale të Forumeve të Grave të Partive Politike, duam të kujtojmë liderët e të gjitha partive politike në Shqipëri, të gjithë anëtarët e Parlamentit dhe të gjithë vendim-marrësit të respektojnë kuotën 30 për qind të pjesëmarrjes së grave në
Parlament. Duke qenë se partitë politike parlamentare kanë përgjegjësinë më të
madhe për progresin e demokracisë dhe integrimin e Shqipërisë në BE, ne sugjerojmë që këto parti politike të jenë të parat që të mbështesin këtë iniciativë. Ne besojmë se kjo mbështetje do të përbëjë gjithashtu një akt mençurie politike, duke qenë se gratë përbëjnë gjysmën e elektoratit dhe gjithmonë e më shumë po binden se ato duhet të votojnë për ato parti politike që pranojnë se gratë kanë të njëjtat të drejta dhe detyra si burrat, jo vetëm në familjet e tyre dhe vendin e punës, por gjithashtu në subjektet partiake, në parlament dhe në qeveri. Ne, pjesëmarrësit e Tryezës Rajonale të Forumeve të Grave të Partive Politike, në referencë edhe të Raport Progresit të KE dhe rekomandimeve te OSBE/ODHIR, ftojmë të gjithë liderët e partive politike dhe deputetët, që në procesin e amendimit të Kodit Elektoral, të përfshijnë propozimet e Koalicionit të Shoqërisë Civile për të
rritur pjesëmarrjen e grave shqiptare në Parlament, që të përkojë të paktën me nivelin e pjesëmarrjes në parlament të grave në disa prej vendeve tona fqinje”. Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë (LDGSH) është forum i Partisë Demokratike, që vepron që prej vitit 1991 si një organizatë vullnetare e grave dhe vajzave, aktiviste të proceseve demokratike në Shqipëri. LDGSH është përfshirë në një proces riorganizimi në të gjitha degët e saj, në të gjithë Shqipërinë dhe numëron mbi 15 mijë anëtare. LDGSH është organizata më e madhe politike e grave në vend që promovon barazinë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave, fuqizimin e statusit të gruas në nivelet vendim-marrëse, të shprehura edhe në programin e Partisë Demokratike, formacionit politik që
qeveris Shqipërinë.