E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundër fëmijëve në fushatë dhe veturave publike

Përdorimi i fëmijëve në aktivitetet e fushatave të partive politike, nga të gjitha partitë e mëdha, dhe përdorimi i veturave publike nga zyrtarë të ndryshëm, për qëllime partiake, janë çështjet më brengosëse në javën e parë të fushatës, thotë koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.

Sipas drejtuesve të këtij koalicioni, ka disa raste kur zyrtarë komunalë që nuk kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre, marrin pjesë në fushatë si kandidatë politikë.

Koalicioni i OJQ-ve vendore Demokracia në Veprim, ka bërë publik të mërkurën, raportin njëjavor të vëzhgimit të fushatës parazgjedhore nga 15 deri më 18 tetor, me çrast ka paraqitur disa parregullsi të evidentuara.

Po ashtu kemi vërejtur se disa zyrtarë komunalë marrin pjesë në tubime partiake gjatë orarit të punës, është thënë në konferencën për media.

Ismet Kryeziu, drejtor i Demokracia në Veprim, ka përmendur disa raste të disa ankesave nga partitë politike lidhje me sjelljen e rivalëve të tyre.

Në Skenderaj LDK është ankuar për thyerjen e xhamave të selisë dhe grisjen e posterëve. Lidhje me vendosjen e posterëve dhe pllakateve në vendet publike nga LDK është ankuar PDK në Rahovec. Për të njëjtën arsye është ankuar LDD kundër AAK në Pejë. Në Ferizaj AKR është ankuar për heqjen e posterëve. PSDK është ankuar në Pejë lidhje me mungesën e informatave nga KKZ. Një ankesë tjetër është bërë nga LDK në Skenderaj lidhje me përdorimin e fëmijëve në posterë partiak të kandidatit për kryetar komune nga PDK, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, në disa raste është vërejtur grisja e posterëve, si psh të atyre të LDK dhe AAK në Suharekë si dhe të atyre të AKR në Mitrovicë. Në Suharekë janë dëmtuar shtizat e flamujve të LDK-së.

Kryeziu ka shtuar se nganjëherë vërehet gjuhë e ashpër në fjalimet e partive politike. (Kështu p.sh. Behxhet Pacolli ka deklaruar Ne votat nuk i marrim me kallashnikovë në takimin e mbajtur në Prishtinë).

Në konferencë është theksuar edhe aktiviteti i Komisioneve Komunale Zgjedhore. Sipas drejtuesve të Demokracia në Veprim, Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ-të), kanë vijuar punën pa probleme në shumicën e komunave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›