E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër komunizmit në mërgim

Për herë të parë / Letra të Mustafa Krujës drejtuar Gjon Marka Gjoninit ku komentohet krijimi i një komiteti me të katër grupet politike jashtë Shqipërisë në bashkëpunim me të huajt. Qëllimi: Shpëtimi i vendit nga komunizmi. Qëndrimi i Mbretit Zog dhe shpresa për t'u kthyer në fron


Dy letra drejtuar kapedan Gjon Marka Gjonit në Romë nga Mustafa Kruja, i emigruar në Aleksandri, i ftuar pranë Mbretit Zog, ish-kundërshtari i tij politik. Ato japin një tablo të organizimit të emigracionit antikomunist jashtë Shqipërisë dhe vështirësitë e marrëveshjeve dhe ndërhyrjet e të huajve në këtë proces.
Bashkë me to edhe përgjigjet e Ndue Gjomarkaj (i biri i Gjon Marka Gjonit), i cili i shkruan Krujës për krijimin e komitetit që mori emrin "Shqipëria e lirë.
Kruja përshkruan nga bisedat e drejtpërdrejta me Ahmet Zogun, atëkohë në Egjipt, qëndrimin e tij dyshues për të krijuar një "komitet shpëtimi", i pranuar dhe i pëlqyer prej gjithë grupeve në mërgim.
Këto letra janë një enciklopedi e vogël dhe kush bënte çfarë në mërgim për çështjen e "ndërhyrjes në Shqipëri".


Romë 10. VI. 1948

I dashtuni Mustafë,

Ke shum të drejtë me u idhnue, por arsyeja qi nuk të kam shkrue, ka rrjedhë pse dojshem të thojshem ndonji send konkret mbi punët e ktushme, e qe se po t'i përmbledh të gjitha me nji fjalë: kurrgjâ!

Mbasi ministri grek na pat ftue dhe na komunikoi dishirin e Qeveris së tij për nji bashkim dhe formimin e nji Komiteti Qendruer, i cili do të hynte në bisedim me grekët, na u mblodhëm e mbasi e shqyrtuem çështjen, vendosëm me u marrë vesht me Ballin. Ngarkuem për kët detyrë Ismail Vërlacin, edhe si Kryetar të Blokut, me bisedue me Midhatin, Kryetar të Ballit. Mbas nji jave mundimi, dikur mrrijti me e gjetë Midhatin; bisedoi më tê për mâ se nji orë dhe Midhati i premtoi se mbasi të kthente prej udhtimit qi do të bânte nëpër kampe, ku do t'u kshillonte me shokët (!) do të vinte në Romë dhe do t'i binte përgjegjen.

Ai u nis e nuk u pa me Ismail Vërlacin; na vepruem simbas ndërgjegjes e detyrës s'onë e ai i mungoi edukatës! Atëherë na ngarkuem Ekrem Libohovën me shkue n'emën të Blokut te ministri grek e me i thânë qi të tâna tentativat na shkuen huq, e ashtu u bâ. Midhati erdhi në Romë dhe mblodhi ballistat. Mbas disa ditësh bisedimi ndër veti formuen Kryesin e Ballit me nji Kshill prej 7-9 vetësh e me Midhatin Kryetar. Nuredin Vlora, qi ne na kishte thânë se nuk âsht mâ në Ballë, muer pjesë, tue kujtue se ai do të mbrrijte me bâ kët formim.

Kryetar nderi Midhati, Nënkryetar me të tâna të drejtat e Kryetarit Nuredini dhe disa Kshilltarë t'anës së tij; por nuk ja duelë pse Nuredinin e zgjodhen vetëm si Kshilltar; atëherë ky i idhnuem muer valixhet e iku për Capri! Sa për Aliun e Koçon kanë thânë qi ata nuk janë t'autorizuem me folë çâshtje politike n'emën të Ballit, ata janë vetëm për çâshtjen e emigracionit. Kan bâ ashtu si kishim bâ na me Ernestin. Dje Midhati âsht nisë për Greqi. Nuk besoj se Aliu e Koçoja të munden me u da prej Ballit, ose mâ mirë me thânë prej Midhatit; prandej të mos gënjehen t'atyshmit mbi Aliun se, mbas mendimit t'êm ata kanë me qenë dakort me të vetët, e se të tâna bisedimet qi i bâjnë nuk janë gjâ tjetër veçse manovra.

Po niset Ernesti për Egjypt e ky ka me ju diftue gjanë e gjatë. Kemi folë me tê dhe i kemi skjarue idét mbi bisedimet qi do të ketë me ty e Bazin. Unë besoj se do t'ishte mirë të bâhet kështu: të formohet partija Monarkiste (të shlyhet emni Zogist e Legalitet) e të himë në marrveshtje si partina na Bloku me partin Monarkiste, për me balancue Ballin si parti, pse me Bazin si person nuk më duket marrveshtja aq e gjânë, mbasi ai figuron mâ tepër si person se si parti. Me këtë mënyrë e me Kosovarët qi janë grup në veti na mundemi me u bashkue e me punue mâ së miri.

Këto janë idét e mija, e mos kujto se unë due, me ndoj mënyrë a ndoj tjetër me luftue Bazin, përkundrazi dishroj qi ai të forcohet sa mâ tepër, pse âsht n'interesin t'onë të përgjithshëm. Jam gati i sigurtë qi shum Zogista, si Hiqmet Delvina me shokë (jugorët) nuk kanë me e pranue Bazin si Kryetar, pse për ta âsht malok siç jemi të gjithë na, e kështu ndoshta kanë me u da; prandej mâ mirë me e dijtë kët gjâ herët se vonë (Toskë e Gegë!). Ti e din se na jemi nji parti politike e nuk mundemi me e zhgatrrue për me u marrë vesht me njanin ose tjetrin, pse nuk më duket as e mundshme qi të hjekim dorë aq shpejt prej principeve t'ona si parti, pse edhe po të bâhet kështu nuk del gjâ mâ e mirë veç ndoshta mâ e keqe, pse kishim me u komprometue para opinionit publik si shqiptar ashtu të huej, sepse tashma jemi të njoftun si nji parti politike. Për të gjitha këto ke me folë gjanë e gjatë me Ernestin.

Italjanët e kanë pasë lanë krejt mbas dore çâshtjen shqiptare; mbas insistimeve t'ona e bisedime qi kemi pasë me ta, tashti kan fillue me e marrë para sysh çâshtjen shqiptare; të shohim se çka me dalë.

Besoj qi të kam shkrue mjaft gjatë. Tahiri âsht nisë për Turqi pse nuk kje e mundun me e mbajtë. Shkumja e tij na ka vrâ shum, por çka t'i bâjmë fatit.
Na jemi mirë, ashtu shpresoj qi edhe ti ke me kenë mirë me shndet. Kam ndigjue se ke fillue me përpilue nji fjaluer Shqip-Arabisht. Urime!

Me kaq të përqafoj për së largu me mallë gjithmonë i yti

Ndue Gjomarkaj

Prej babës shum shndet.
Bazit, Agos, Qorralliut shum të fala.



Aleksandri, 30.VI. 1948

Fort i dashuni Kapidan,

Po u përgjigjem njiherit të dy letravet qi kam marrë prej teje e prej Ndoit. Ju falemnderës të dyve për to, se kam pasë çka me lexue. Më dukej se po kuvês me jue gojë me gojë tue qitë mallin qi më ka marrë.

Këto dit ka qênë këtu edhe Ernesti e kemi bisedue gjân e gjatë. Kur kaloi këndej për Kajro qênka ndalë vetëm nji natë e s'e ka qitë rasa me u pjekë me kurrkênd veç Ali Klisurës e, më duket, Koço Mukës qi e paskan marrë vesht gând e paskan shkue e u pjekë me tê. Tash erdh nga Kajro e u pá me të gjithë. Lajmet e atyshme i mora vesht fill e për pê prej tij. Vûna oroe se mendimet e tija përputhen me sa më shkruente Ndoi në letrën e mbrame. Nuk janë mendime të këqija. Vetëm se mue më duket qi lypin kohë për me u vû në zbatim. Mirpo ndodhit e botës me të cilat âsht lidhun fat'i ynë s'i kemi na n'dorë qi t'i ndalim për me na pritë deri qi t'mërrijë breshka e jonë atje ku duhet. Kam thânë gjithmonë qi duhet sa mâ parë nji bashkim për me u gjindun gati për çdo gjâ qi mund të gjajë e papritun. Se për ne çdo gjâ qi mund të gjajë, e papritun ka me qênë, mbasi s'jemi na qi i kemi n'dorë çelsat e ndodhive të botës. Qe, p.sh., kush e kishte mendue se Tito do t'i binte ndesh Stalinit e do të krijonte bash te portat e vêndit t'onë nji situatë qi sod âsht ende tepër heret për me parapá me saktësi se si ka me u zhvillue? Ka rasa në të cilat njeriu duhet të mendojë gjatë, por ka edhe asosh kur duhet të presë shkurt e të veprojë para se t'i dalë zogu doret.

Shpesh herë ndodh qi nji tregtar lakmues e ruen nji mall për me e shitun kur t'i ketë hypë çëmimi në qiell e kështu me fitue njimijë për qind. Nga nji herë bâhet si ka mendue ai, por shpesh ndodh edhe qi malli të kalbet në magaze ase t'i bjerë çëmimi aqë poshtë sa mos me mujtë me xjerrë as gjysën e kapitalit. Un tregti s'kam bâ kurrë. Por mbaj mênd nji fakt politik në jetën t'eme qi ka nji farë përgjasimi me punët e soçme. Në 1921 ishin dý parti në parlamentin t'onë: Popullorja edhe Përparimtarja.

Ndërmjet këtyne ishte dhe grupi i deputetënve të Shkodrës me të cilin ishem i bashkuem edhe un. Na porsa hmë në parlament u mblodhëm ndër veti edhe venduem kështu: "Të dý partit, thamë, janë baras me fuqi e asnjâna s'mundet me formue nji qeveri vetëm e të dyja bashkë s'piqen kurrë. Kanë me pasë pra nevojë të domosdoshme për ne si njâna ashtu tjetra për me bâ shumicë. Prandej po rrijmë e presi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›