E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përurohet kisha e "Shën Thomait" në Tepelenë

Kryepeshkopi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, bekoi sot kishën e re të "Shën Thomait" në qytetin e Tepelenës, e para e këtij lloji e ndërtuar në këtë qytet qysh prej kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Një fond prej 300 mijë euro, të akorduara nga Kisha Autoqefale e Shqipërisë, bëri të mundur ngritjen e objektit të kultit ortodoks në qendër të Tepelenës, 150 metra larg kalasë së qytetit.
Në prani të besimtarëve të shumtë, kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare, Hirësia e tij, Anastas Janullatos, u shpreh se "Tepelena shquhet për histori dhe krahas pallateve të bukura të këtij qyteti të mrekullueshëm, ku bukuria do bukurinë, sot falë Zotit, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, i dhuroi këtë obkjekt kulti të mrekullueshëm këtij qyteti me tradita". Punimet për ndërtimin e kishës në Tepelenë filluan në fund të vitit 2006. Objekti në fjalë është tipik i stilit bizantin, me gure dekoracionalë dhe me tri kate, së bashku me atë të nëndheshmin.
Kjo është kisha e dytë e ndërtuar gjatë viteve të fundit në rrethin e Tepelenës, pas ndërtimit të një tjetër kishe në qytetin e Memaliajt, pesë vjet më parë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›