E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër ligjit, të verbrit e paraplegjikët sot në protestë

Mblidhen sot përpara Parlamentit: Mos votoni rrëzimin e të drejtave tona.

Mos votoni rrëzimin e të drejtave tona. Me këtë thirrje, Shoqata e të Verbërve dhe Shoqata e para dhe tetraplegjikëve, protestojnë sot pranë Parlamentit. Ata do të mblidhen rreth orës 9:30 për tu kërkuar deputetëve të mos miratojnë ndryshimet e bëra në ligjin për statusin e të verbërve dhe paraplegjikëve, të cilat u prekin atyre kompensimet që i bëhen për energjinë elektrike, telefoninë dhe transportin publik. Të mos i lihet dorë e lirë qeverisë, të mos përqendrohen kompetencat që ka Parlamenti, të mos ia delegojë qeverisë, sepse bën një qeveri të fortë që në përputhje me mundësitë financiare që ka, do të reduktojë edhe mbështetjen në beneficiet tona. Në kërkojmë që të mos miratohet ligji. Nëse miratohet jashtë kërkesave tona, unë do ta bëj të qartë se ky do të jetë vetëm fillimi i ballafaqimit të institucioneve publike me këto kategori, deklaroi dje Sinan Tafaj, president i Shoqatës së të Verbërve. Drejtuesit e dy shoqatave i bëjnë thirrje policisë të mos ushtrojë dhunë ndaj këtyre personave që protestojnë për të drejtat e tyre, ashtu sikundër ndodhi më 21 maj 2009 para Kryeministrisë, kur u dhunuan dy gra të verbra. Me këtë protestë do tu bëjmë thirrje deputetëve të maxhorancës dhe deputetëve të opozitës që të mos e votojnë këtë ligj. Të mendojnë ata sikur pranë tyre, në familjet e tyre, jetojnë të verbër dhe paraplegjikë, dhe atëherë do të kuptojnë se sa e vështirë është jeta për këtë kategori, tha Mybere Prizreni, presidente e Shoqatës së Paraplegjikëve.

15 MIJE persona me aftësi të kufizuara rezultojnë të regjistruar sipas rregullave, ndërkohë që nga kompensimi i energjisë elektrike përfitojnë 25 mijë persona. Prej tyre, 4 mijë persona përfitojnë vetëm në Tiranë në mënyrë abuzive karburant dhe energji.

Kerkesat
Përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuara kanë kërkuar që si ata, ashtu dhe shoqëruesit e tyre, të vazhdojnë të udhëtojnë falas në transportin urban, si dhe me gjysmë çmimi në atë interurban. Ndërsa sa i takon energjisë, ata kanë propozuar që të paguajnë 20% të vlerës së konsumit mujor deri në 1200 kilovat të energjisë elektrike. Deri tani këto propozime nuk janë marrë ende në konsideratë.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›