E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër ndërtesave politike në Lagjen e Boshnjakëve

Nga Express më 06 gusht 2011 në ora 20:00

Qeveria e Serbisë ka ditë që ka nisur ndërtimin e një ndërtese shumëkatëshe në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, gjë e cila ka shqetësuar shqiptarët që jetojnë në këtë lagje të banuar me popullatë të përzier.

Ata brengosen për tendencën e ndërrimit të strukturës etnike në këtë lagje nga ana e Qeverisë së Serbisë dhe këto ndërtime i quajnë kryekëput politike, ndërkohë që kërkojnë mbështetje më të fuqishme institucionale.

Florent Azemi, përfaqësues i Lagjes së Boshnjakëve, u shpreh të jetë i shqetësuar për këto ndërtime, të cilat siç tha ai, janë politike.

“Kemi informacione se ndërtohen këto ndërtesa qëllimi i tyre që është politik. Këtë më së miri ne e kemi dëshmuar përmes shkresave dhe kërkesave tjera që ju kemi bërë institucioneve relevante të Republikës së Kosovës. Ne shpresojmë që me të gjitha këto çështje politike duhet të merren institucionet të cilat janë kompetente”, tha Azemi.

Sipas tij, shqetësimet te banorët për një gjë të tillë janë prezente, por për shkak të gjendjes, e cila po mbretëron ditëve të fundit, banorët kanë vendosur që t’i pushojnë aktivitetet rreth kësaj çështjeje derisa të qetësohet gjendja.

Në lidhje me banorët e vendosur në ndërtesat e ngjashme që janë ndërtuar më herët në këtë lagje nga qeverie serbe, ai theksoi se janë vendosur njerëz të cilët askush nuk i ka parë më herët, që do të thotë se janë nga vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë.

Ndërkaq, Veton Vidishiqi banor në këtë lagje, fajëson institucionet e vendit për një dukuri të tillë, duke përmendur këtu edhe disa bashkëkombas të cilët për para të “majme” ia kanë shitur pronat Qeverisë së Serbisë.

“Unë do të kisha pasur dëshirë që shqiptarët me ndërtuar, do të thotë Qeveria e Kosovës t’i ndërtojë këto ndërtesa, çka unë ia kam lakmi Qeverisë së Serbisë çka po bënë për serbët dhe këto ndërtesa po ndërtohen në ish pronat e shqiptarëve, që me gjithë dëshirë ua kanë shitur pa kurrfarë presioni serbëve”, ka thënë Vidishiq.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, tha se komuna e Mitrovicës është në njohuri për ndërtimet që po bëhen në pjesën veriore të cilat po financohen nga Qeveria e Serbisë.
Ai pranon se komuna nuk ka mundësi të ndërpresë ndërtimet, për shkak se UNMIK-u llogaritet si administratë e ligjshme në Mitrovicën veriore.

“Për fat të keq, administrata e UNMIK-ut është duke iu lëshuar leje, duke iu dhënë leje nëpër sipërfaqe, të cilat në planet e mëhershme urbanistike nuk janë të parapara për ndërtime të larta, dhe ky fakt faktikisht fuqizon edhe më tepër atë mendimin e banorëve se këto janë ndërtesa politike. Derisa UNMIK-u atje llogaritet si administratë e ligjshme, komuna e Mitrovicës ka pak mundësi që t’i ndërpresë këto punime nëse banorët atje kanë shprehur shqetësime dhe ka pasur iniciativa prej tyre që të ndërpriten këto punime”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, pothuajse çdo ditë organet komunale janë në kontakt me banorët, të cilëve iu japin sugjerime dhe mbështetje për aq sa lejojnë mundësitë buxhetore dhe teknike. (kp)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›