E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjarjet politike, zbehin raportimin e medieve për korrupsionin

Nga Express më 07 gusht 2011 në ora 13:14

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar raportin mujor nga monitorimi i shtypit ditor rreth raportimit për korrupsionin në nëntë gazeta ditore, për periudhën korrik 2011. Në bazë të këtij raporti, gjatë muajit korrik janë evidentuar gjithsej 48 artikuj nga nëntë gazeta ditore, apo 49 më pak se në muajin qershor.

Në këtë raport përfshihen edhe shkrimet mbi aksionet konkrete për luftimin e korrupsionit, si arrestimet, dënimet, etj.

Në komunikatën e lëshuar nga KDI, thuhet se për dallim nga muajt paraprak, në korrik është vërejtur një ulje drastike e numrit të artikujve që mediat paraqesin për korrupsionin. Ky rezultat ka ndodhur kryesisht si pasojë e zhvillimeve të mëdha politike në vend, duke marrë kështu primatin e trajtimit të temave. Po ashtu, është evidentuar edhe mungesa e aksioneve ndëshkuese të organeve të drejtësisë kundrejt keqpërdoruesve të pushtetit dhe parasë publike.

“Nga 48 artikujt për korrupsionin, gati gjysma (19) flasin për raporte të Auditorit të Përgjithshëm. Dy raste flasin për aktakuza, një rast për fillimin e një hetimi, ndërsa të tjera për informata që kanë plasuar vetë mediat bazuar në hulumtimet e tyre. Shqetësuese vlerësohet mosangazhimi i gjyqësisë dhe policisë, megjithëse muajve të kaluar ka pasur mjaft raste të paraqitura për korrupsion”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu KDI ka bërë edhe disa rekomandime, si: fokusimi i medieve në raportimin më të madh të dukurive korruptive, nxitja e prokurorisë për t’i hetuar rastet e paraqitura në media, reagimi-reflektimi institucional dhe marrja parasysh e raporteve të auditimit.

Në raport po ashtu është evidentuar edhe prioriteti që mediat i japin artikujve për korrupsionin dhe të dhëna të tjera. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›