E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër rritjes së pagës minimale

Nga Express më 16 prill 2011 në ora 22:05

Komuniteti i biznesit dhe zyrtarë të Qeverisë kanë kundërshtuar kërkesën e sektorit privat për ngritjen e pagës minimale në shumë prej 250 eurosh. Ata thonë se kjo është e pazbatueshme për kushtet në vend. E sindikatat thonë se rritja është e domosdoshme.

Kërkesa e punonjësve të sektorit privat për rritjen e pagës minimale nuk ka marrë përkrahjen e komunitetit të biznesit e as të Qeverisë. Këta të fundit vlerësojnë se shuma prej 250 eurosh është e lartë dhe e pazbatueshme për kushtet e tyre. Pas ngritjes së pagave të shërbyesve civilë, sindikatat e punëtorëve tani kanë kërkuar nga autoritetet kompetente që paga minimale të arrijë në 250 euro, si për punonjësit e sektorit publik, po ashtu edhe për ata të sektorit privat.

Aktualisht, në Kosovë paga minimale është 130 euro, shumë kjo, që sipas përfaqësuesve të sindikatave, nuk e mbulon koston e shpenzimeve jetësore.

Haxhi Arifaj, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se për shkak të ngritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë, edhe punëtorët në sektorin privat duhet të gëzojnë rritje të pagave. “Në mënyrë të argumentuar do të prezantojmë arsyen pse kërkojmë dhe cilat janë specifikat. Njëkohësisht, edhe në bazë të statistikave që ne do t’i nxjerrim, sepse kemi të bëjmë me shportën ditore, mujore, kemi të bëjmë me ngritjen e çmimeve, kemi të bëjmë me inflacionin”, ka thënë Arifaj për Radio Evropa e Lirë.

Ai thotë se kanë konsultuar edhe pagat minimale në rajon. Përveç Maqedonisë dhe Kosovës, të gjitha shtetet tjera përreth i kanë pagat minimale më të larta sesa që kanë kërkuar. Edhe Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, vlerëson se duhet të gjenden mënyra për rritjen e pagës minimale të punëtorëve kosovarë, me theks të veçantë të atyre që punojnë në sektorin privat.

“Ne këtu jemi bazuar në koston e jetës, por kryesisht jemi bazuar edhe në dispozitat e Ligjit të punës, përkatësisht të nenit 56, që obligon përcaktimin e pagës minimale edhe për kushtet apo elementet, të cilat duhet të merren për caktimin e pagës minimale”, shpjegon Dragusha. Por, me një kërkesë të tillë nuk pajtohen përfaqësues të komunitetit të biznesit. Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se kërkesa e sindikatave është e arsyeshme, por jo mundësi që mund të realizohet, qoftë në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat.

Shahini kundërshton një gjë të tillë, pasi, sipas tij, paga minimale prej 250 eurosh është shumë e lartë për kushtet ekonomike në vend. “Ne, si Aleancë Kosovare e Biznesit, nuk jemi pajtuar për këtë dhe nuk do të pajtohemi, sepse ne e shohim rritjen e zhvillimit ekonomik jo përmes rritjes së pagave, por përmes rritjes së ekonomisë dhe rritjes së punësimit”, tha Shahini. Sipas tij, problem për rritje të pagës minimale paraqet pikërisht sektori privat, pasi, siç thotë ai, ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme përballen me probleme të shumta.

Edhe zyrtarë të Qeverisë dhe përfaqësues të Odës Ekonomike në Kosovë vlerësojnë se shuma prej 250 eurosh është e lartë dhe e pazbatueshme për kushtet tona.

Në bazë të Ligjit të punës, i cili ka filluar të zbatohet nga 1 janari i këtij viti, Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik duhet të përcaktojë pagën minimale. Por, një gjë të tillë ende nuk ka mundur ta realizojë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›