Kundërpërgjigjet Sidrit Bejleri

Sidrit Bejleri është një nga ata këngëtarë që deri një vit më parë ka pasur një marrëdhënie nga ato që mund të quhen korrekte me publikun. Prania e tij në “The voice of Albania” zbuloi atë pjesë të humorit që shumë pak ia njihnin. Në fakt, ai është kthyer në një protagonist të vërtetë të këtij emisioni. Si profesionist dhe si njeri që nuk i kursen batutat.
Ai është rikthyer në edicionin e dytë të “The Voice” dhe duket se ka qëlluar në shenjë. Ka marrë tashmë disa zëra që kanë spikatur e do të vazhdojë të kërkojë talentet që do t’i shtohen skuadrës së tij. Megjithatë, ai duket se ka pranuar një sërë kritikikash, të cilave u është përgjigjur nëpërmjet rrjeteve sociale: "Rob të Zotit, të dashur miq, duke marrë shkas nga komentet e ndryshme, thjesht mundohem të tregoj kush është arti i vërtetë, me aq sa di, se në këtë botë nuk ka njeri perfekt. Duke patur shijet dhe sidomos konkluzionet që më dalin pas një rrugëtimi 28 vjeçar, në këtë profesion nuk pretendoj që çdo gjykim të jetë absolut ‘’, ka shkruar Bejleri, duke shtuar : "Mirëkuptoj komentet që nuk janë dakord me vendimet e mia, kur bazohen në logjikë. Mirëkuptoj shijet e ndryshme sepse diversiteti është zhvillim, por nuk arrij dhe nuk lodhem të kuptoj ato komente që pa asnjë logjikë fyejnë dhe shpifin, vërbuar nga lidhjet që kanë”. Ai ka theksuar se njeriu duhet të mësojë të jetë falënderues, por që megjithatë nuk pret shumë, ‘"duke parë që raca njerëzore është e mangët në falënderimin ndaj krijuesit, Zotit të gjithësisë". Këngetari shkodran, ka afro 20 mijë fansa në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook. /Indeksonline/