E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: LSI shkatërroi negociatat mes nesh për Kodin Zgjedhor

Nga L.Progni

Në një dokument që do iu paraqitet ditën e sotme anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, partia më e madhe opozitare shprehet e kënaqur me Kodin e ri Zgjedhor.

Mbledhja e AK do të mbahet sot në Elbasan. Anëtarët do të njihen me Kodin e ri Zgjedhor dhe procesin për realizimin e tij.

Në dokumentin e përgatitur nga Sekretari për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, i cili drejtoi dhe Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore bashkë me demokratin Ilir Rusmali, thuhet se ka patur negociata të vazhdueshme brenda së majtës në lidhje me Kodin, por LSI i ka refuzuar ato duke paraqitur kushte joparimore dhe duke bërë presion.

“Ne kemi kërkuar që në krye të herës, veçanërisht nga aleatët tanë, që ky proces të jetë pa paragjykime dhe me një frymë të qetë komunikimi duke vlerësuar, se nuk mund të ndërtohet një proces bashkëpunimi real dhe i qëndrueshëm, bazuar apo paralel me një proces paragjykimi, mosnjohjeje dhe për më keq mbështetur në emocione personale, akuza, presione dhe mungesë etike komunikimi. Ne kemi pasur vlerësimet, alternativat, zgjidhjet e propozimet tona për reformën elektorale në tërësi e Kodin Zgjedhor në veçanti, fryt i një ekspertize të gjerë profesionale, për të cilat është punuar për një kohë të gjatë me ekspertët e PS dhe të kthyera në vendimmarrjet përkatëse politike. Ne nuk kemi hezituar në asnjë rast t'i bëjmë publike këto pozicione, të ballafaqohemi me vlerësimet dhe opinionet e të tjerëve dhe jemi treguar të hapur të pranojmë çdo zgjidhje që e përmirësonte procesin. Ne funksion të këtij qëllimi kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme funksionimin e negociatave politike e teknike ndërmjet palëve, proces i cili ka funksionuar normalisht me dy partitë aleate, PSD dhe PDS, ndërsa ka pasur si reagim presionin dhe kushtëzimin joparimor nga ana e lidershipit të LSI”, - thuhet në dokumentin e përgatitur nga Xhafaj.

Ndërsa shpjegohen detajet e Kodit për anëtarët, Xhafaj thotë se shumica e kërkesave të PS janë pranuar. “Mund ta pohojmë me bindje politike e ligjore që PS ka siguruar shumë garanci ligjore dhe të drejta procedurale që asnjë opozitë nuk i ka pasur më parë në asnjë nga ligjet zgjedhore që janë aplikuar në Shqipëri”, - thuhet në dokument.

“Konsensusi i gjerë politik e parlamentar në miratimin e këtij projekti është një nga vlerat kryesore të këtij procesi. Bashkëpunimi politik i arritur në formulimin e këtij Kodi Zgjedhor nuk është aspak dobësi ndaj mazhorancës aktuale. Përkundrazi. Ky ka qenë sa një detyrim kushtetues e ligjor, ashtu edhe një praktikë e konsoliduar në gjithë këto vite në një sërë precedentësh të funksionimit të komisioneve të mëparshme bipartizane. Çdo interpretim abuziv në këtë aspekt ka synuar të zbehë rolin e PSSH në këtë proces, të frenonte apo edhe të deformonte iniciativën e saj ligjore.

Rregullat e lojës të përcaktuara në këtë Kod, nuk cenojnë as votat, as përqindjet që do të meritojnë partitë politike në zgjedhjet e 2009”, - vlerësohet më tej. Duke përfunduar, Xhafaj thekson në dokumentin e përgatitur për anëtarët e AK, se përgjegjësia për zgjedhje të lira dhe të ndershme është e të gjitha palëve. “Përgjegjësinë e arritjes së objektivit të zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, duke filluar me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor, e ka e gjithë politika shqiptare. Edhe ne kemi përgjegjësitë politike e ligjore në këtë proces, që do të duhet t'i përmbushim me shumë angazhim e korrektesë”, - thuhet në dokument.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›