E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta italo- greke në sytë e një ambasadori

Nga Tema

Në datën 20 Nëntor 2008 Drejtoria e Arkivit Diplomatik dhe Historik në Ministrinë e Jashtme greke organizoi prezantimin e librit “Graci shkruan mbi sulmin italian kundër Greqisë”. Të pranishëm ishin Ministrja e Jashtme znj. Dora Bakojanis, akademikë si dhe vetë nipi i ish ambasadorit italian Emmanuelle Grazzi (Emmanuelle Grazzi ishte Ambasadori i Italisë në Greqi në vitet 1939-1940 kur u zhvillua dhe lufta Italo-Greke. Kujtimet e tij, të cilat ai i botoi në Gazetën Giornale del Mattino në vitin 1945, përbëjnë dhe objektin kryesor të librit në fjalë).

Akademiku dhe Ambasadori K. Svolopulos e përqendroi rëndësinë e këtij libri në tre aspekte kryesore:

1. Kujtimet e ish ambasadorit Graci përbëjnë një burim të rëndësishëm për sa i përket historisë bashkëkohore.

2. Këto kujtime mund t’i përgjigjen disa pyetjeve dhe problemeve jo shumë të dukshme. Shpesh, shumë vetë përulen ndaj realitetit fluid duke kundërshtuar kështu të vërtetën objektive. Detyra e akademikut është pikërisht e kundërta.

3. Ish ambasadori Graci vë në dukje rolin e Greqisë si një vend që kishte respektuar më së miri neutralitetin dhe që nuk kishte provokuar asnjë.

Politika e Jashtme Greke – tha z.Svolopulos ndahet në dy periudha:

a. Deri në vitet 1922-1923 ku mbaron dhe “Megali Idea” (Ideja e Madhe), si një vizion i cili udhëhiqte drejtuesit e shtetit grek. Ky vizion nuk kishte lidhje me ri-krijimin e perandorisë bizante dhe tendencat imperialiste kundër fqinjëve – shtoi ai – por kishte të bënte një vizion të përgjegjshëm që drejtonte politikanë të ndërgjegjshëm dhe një opinion publik të tillë, duke shtrirë Greqinë në ato territore ku banonte popullsi greke.

b. Periudha e dyte, e politikës së jashtme greke është ajo e pas vitit 1923 (vit në të cilin Greqia pati konflikt të armatosur me Turqinë e Ataturkut), politikë e cila bazohet në rruajtjen e status quo-së.

Për sa i përket luftës italo-greke, z. Svolopulos ju referua tre aspekteve kryesore.

Në aspektin ushtarak, forcat greke jo vetëm u përballën me ushtarët italianë duke i dëbuar ata, por edhe u shtrinë në territoret fqinjë shqiptare, të cilat ishin gjithashtu të pushtuara nga Italia.

Në aspektin politik, qëndresa e Greqisë shërbeu si shembull për shtetet e vogla, të cilat po mbroheshin nga kërcënimet e boshtit qendror.

Në aspektin moral, në një kohë kur popujt e Evropës ishin të lënduar, populli grek rezistoi në emër të disa parimeve, të cilat edhe sot e ruajnë rëndësinë e tyre, si parime bazë të Bashkimit Evropian.

P. Apostolides, Ambasador në Ministrinë e Jashtme Greke, bëri një përshkrim të shkurtër historik të librit “Graci shkruan mbi sulmin italian kundër Greqisë”, duke kritikuar politikën e jashtme italiane të asaj kohe si arrogante.

Z. Apostolides tha se detyra kryesore e diplomatëve dhe veçanërisht Ambasadorëve është përmirësimi i marrëdhënieve të shtetit të tyre me vendet ku ata janë caktuar. Kur fillojnë të krijohen kriza në marrëdhëniet dypalëshe, atëherë roli i diplomatëve bëhet akoma dhe më i dukshëm, ndërsa në rastin e diktaturave dhe politikave të luftës, roli i diplomatëve ulet ndjeshëm duke u zëvendësuar kështu me atë të ushtarakëve.

Emanuil Graci – vazhdoi z.Apostolides – erdhi në Greqi si ambasador i Italisë në vitin 1939, disa ditë pasi Italia kishte pushtuar Shqipërinë. Para ardhjes së tij, Graci dërgon dy telegrame: i pari kishte të bënte me vlerësimin e rolit të Greqisë në menaxhimin e ikjes së Mbretit Shqiptar Leka Zogu, duke e pritur dhe më pas duke u kujdesur për ta përcjellë atë në një vend tjetër, ndërsa telegrami i dyte vinte në dukje nevojën e ekzistencës së marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve.

Pushtimi italian i Shqipërisë si dhe kryesisht transferimi i disa divizioneve në jug të Shqipërisë krijoi frikë për Greqinë – tha z. Apostolides. Gjatë situatës së krijuar dhe momenteve të vështira në marrëdhëniet greko-italiane, Graci bën me faj diplomatët grekë në Tiranë dhe Romë si dhe drejtuesit italianë të Shqipërisë së pushtuar. Gjuha e ashpër e Ministrit të Jashtëm Italian Ciano me Ambasadorin Grek në Romë Politis si dhe episodet e krijuara me kulm atë të Daut Hoxhës, ishin dhe momentet e fundit të qëndrimit të Gracit në Athinë dhe fillimit të luftës italo-greke. Pas kthimit në Itali, Graci u dëbua nga Roma duke u akuzuar si pro-grek por shfletimi i këtij libri – tha z. Apostolides – më bën të mendoj se përkundrazi Emanuil Graci ishte patriot i madh italian, i cili deri në momentin e fundit të qëndrimit të tij në detyrën e ambasadorit të Italisë në Athinë, u përpoq që të shmangte luftën si një aspekt shkatërrues për vendin e tij. Në libër del ideja që lufta ishte pasojë e konflikteve të brendshme në sferat e larta politike dhe ushtarake italiane, veçanërisht të kastës ushtarake që ishte në Shqipërinë e pushtuar atë kohë. Pikërisht shembullin e Gracit duhet të ndjekë çdo ambasador, përfundoi z. P. Apostolides.

Nipi i ish ambasadorit Italian, i cili mban të njëjtin emër Emanuil Graci (Emmanuelle Grazzi), pasi falenderoi Ministrinë e Jashtme Greke për botimin e kujtimeve të gjyshit të tij, tha se ai e njihte ish ambasadorin si personin që i dha telegramin e Luftës ish Kryeministrit Grek G. Metaxas, por nuk dinte aspektet dhe detajet e tjera të pasqyruara në këtë libër.

Ambasadori italian në Greqi, në fjalën e tij vlerësoi botimin e kujtimeve të ish kolegut të tij si një akt të vërtetë dhe pozitiv që kontribuon në ruajtjen e marrëdhënieve të shkëlqyera greko-italiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›